Pas 26 vitesh, identifikohen tri viktima të masakrës së Kralanit

83
fresco

Pas 26 vitesh pritjeje dhe kërkimi të vazhdueshëm, sot u dha një lajm i rëndësishëm për familjet e tre personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, me praninë edhe të Kryetarit të Shoqatës së Familjeve të Viktimave të Luftës dhe Personave të Zhdukur “Kujtesa”, si dhe përfaqësuesve të Komunës së Malishevës, informuan zyrtarisht familjarët për identifikimin e mbetjeve mortore të tre viktimave të Masakrës së Kralanit.

Tre të identifikuarit, të cilët për më shumë se dy dekada ishin në Listën e Personave të Zhdukur, janë Sabedin (Kadri) Kryeziu, nga fshati Mleqan – Malishevë; Mentor (Maliq) Kryeziu, nga fshati Bubavec – Malishevë; Vehbi (Pajazit) Halilaj, nga fshati Llapqevë – Malishevë, thuhet në komunikatë.

midle

Identifikimi i këtyre viktimave erdhi pas një procesi të gjatë hetimor dhe shkencor nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët me përkushtim kanë punuar për të zbardhur fatin e të zhdukurve. Kjo ngjarje vjen si vijim i procesit të nisur më herët, ku gjatë javës së kaluar, u njoftuan familjet e tetë viktimave të tjera të Masakrës së Kralanit, mbetjet mortore të të cilëve u gjetën dhe zhvarrosën nga varri masiv në Bishtazhin.

Masakra e Kralanit është një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku dhjetëra civilë të pafajshëm u ekzekutuan dhe trupat e tyre u fshehën në varreza masive, për të mbuluar gjurmët e krimeve të kryera. Identifikimi i çdo viktime përbën një hap të rëndësishëm drejt zbardhjes së plotë të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë për familjet e viktimave dhe gjithë shoqërinë.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur siguron familjet e të zhdukurve dhe mbarë opinionin publik se do të vazhdojë me angazhimin maksimal për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur me forcë gjatë luftës. Përpjekjet për të sjellë drejtësi dhe për të mbajtur gjallë kujtimin e viktimave do të vazhdojnë pa u ndalur, deri në gjetjen e çdo të zhdukuri dhe vendosjen e drejtësisë për ta dhe familjet e tyre.

Comments