Peci – Pacollit: Emri yt figuron në dosjen e vrasjes së njërit prej heronjve më të shquar në Kosovë
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, iu është kundërpërgjigjur kryetarit të AKR’së, Behgjet Pacollit lidhur me deklarimet mbi çështjen e granteve nga Agjencia për Zhvillim të Bujqësisë në kuadër të ministrisë që udhëheq Peci.
Me anë të një shkrimi në ‘Facebook’, Peci tha se emrin e Pacollit e ka parë në “dosjen e vrasjes së njërit prej heronjve më të shquar të historisë së Kosovës”, shkruan Insajderi.
“… Behxhet Pacolli, po të drejtohem shumë gjakëftohtë. Shumë faleminderit për këshillën more “trim altruist”.
Po prej se e kam kuptu që emri yt figuron në dosjen e vrasjes së njërit prej heronjve më të shquar të historisë së Kosovës, unë ty të llogariti diçka tjetër“, shkruan Peci.
Reagimi i tij vjen pasi Pacolli ia dha një këshillë Pecit mbi reagimin me nervozizëm ndaj lajmit për dhënien e grantit prej 100 mijë eurove vëllait të deputetes Fitore Pacolli.
Pacolli me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ e ka këshiluar ministrin Peci që të mos reagojë emocionalisht, nëse akuzat s’janë të vërteta, shkruan Insajderi.
“Ministër Peci, Mos u mërzit për çdo akuzë që të drejtohet, ( nese mendon qe nuk janë të vërteta). Reagi emocional, si ai që bën ti zakonisht, mund të japë përshtypjen se akuza është e vërtetë”, ka deklaruar ndër të tjera Pacolli.
Ai ka thënë se duhej të vepronte njësoj sikurse Pacolli kur ministri Peci e quante “agjent të Putinit dhe Vuçiqit”.
Për fund, Pacolli ka dhënë edhe një këshillë të vlefshme për Pecin.
“Qetësia dhe përmbajtja janë përgjigjja më e fortë ndaj kritikave të pabaza”, ka deklaruar Pacolli. /Insajderi.org/