Për gjysmë milionë euro, Rashkovski del nga “Shutka”
Për 500.000 euro, Gjykata e Apelit vendosi që ish-sekretari i përgjithshëm, Dragi Rashkovski të dalë nga paraburgimi në “Shutkë”.
“Paraburgimi për Rashkovskin është shqiptuar sipas Nenit 165 Paragrafi 1 Pika 1 dhe 2. Ankesa ndaj vendimit për paraburgim është me garanci. Këshilli ynë ka vlerësuar se ende po ekziston Pika 2, mbi të cilën i është shqiptuar masa paraburgimi. Pika 2 përbëhet nga ekzistimi i frikës së justifikuar se mund t’i shkatërrojë gjurmët e veprës penale ose kur ka rrethana të cilat tregojnë se i akuzuari mund ta pengojë hetimin, në fakt kur ekziston kjo bazë, atëherë masa e paraburgimit mund të zëvendësohet me garanci”, njoftuan nga Gjykata e Apelit.
Më parë, në një intervistë për “Fokus”, kryeministri Zoran Zaev shprehu mosbesim ndaj prokurores Villma Ruskoska, e cila, nga ana tjetër pohon se Rashkovski ka kryer vepër penale.
“Edhe sot pohoj se nuk e ka keqpërdorur funksionin dhe se ka realizuar furnizime të pastra publike. Mbetem në qëndrimin se Qeveria mund të porosisë softuer pa pyetur askënd, ndërsa Ministria vendos nëse do ta shfrytëzojë”, tha Zaevi.
Pyetjes nëse kjo do të thotë se nuk i beson Prokurorisë për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit , Zaev u përgjigj:
“Absolutisht nuk u besoj për këtë, si për shumë lëndë të tjera, duke i përfshirë edhe lëndët për opozitarët, kur në mënyrë direkte thashë se ata nuk janë organizatorët e ngjarjeve të 27 prillit. Më thirrën si dëshmitar i Prokurorisë dhe thashë se ajo (Ruskoska) nuk ka të drejtë. Kjo është dëshmia ime për këtë lëndë në të cilën unë isha shënjestër. Kështu që nuk e kam patjetër të pajtohem me të dhe me pohimet e saj”, deklaroi Zaev.
Kundër Rashkovskit për momentin udhëhiqen dy hetime për tenderë të realizuar ku janë blerë gjëra që askush nuk i ka kërkuar e as nuk i përdor. Në dy rastet, atë që e ka blerë sekretari i përgjithshëm Rashkovski , paraprakisht e ka patentuar inovatori Dragi Rashkovski.