Përforcohet bashkëpunimi ushtarak: Oficerët e FSK-së diplomojnë në Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë, në Shqipëri
Gjashtë oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfunduar me sukses shkollimin në Akademinë e Mbrojtjes pranë Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë në Republikën e Shqipërisë.
Ky program i avancuar, Kursi Themelor i Oficerit të Shtabit (KTHOSH), është një mundësi e jashtëzakonshme që oficerëve të FSK-së t’u ofrojë njohuri dhe aftësi të thelluara në menaxhimin e trupave dhe vendimmarrjen në nivele më të larta, duke i përgatitur ata për sfidat e udhëheqjes në terren.
Ky bashkëpunim i ngushtë midis dy vendeve ka thelluar gjithashtu angazhimin për ngritjen profesionale të personelit ushtarak të FSK-së. Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë vazhdojnë të ofrojnë mbështetje të pakursyer, duke siguruar që FSK-ja të përballet me sfidat e sigurisë globale me forcë dhe profesionalizëm të shtuar.
Kjo arritje e oficerëve të FSK-së është një tjetër hap drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe të fuqishme për rajonin, duke forcuar lidhjet ndërkombëtare dhe bashkëpunimin për një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjithë.