Përfundon pas 4-orësh raundi i parë i bisedimeve për Ukrainën, çfarë u vendos

Raundi i parë i bisedimeve mes zyrtarëve amerikanë dhe rusë në Arabinë Saudite ka përfunduar pas katër orësh diskutimesh. Ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, tha se negociatat “shkuan mirë” dhe se kushtet për një takim ndërmjet presidentëve Donald Trump dhe Vladimir Putin janë diskutuar gjatë bisedimeve.
Ushakov theksoi gjithashtu se negociatorët janë pajtuar për të diskutuar luftën në Ukrainë, por shtoi se është ende herët për të folur për kompromise konkrete.
Nga ana tjetër, Kirill Dmitriev, kreu i fondit sovran të pasurisë së Rusisë, tha se të dy palët u trajtuan me respekt. Edhe ai shtoi se është shumë herët për të diskutuar mundësinë e marrëveshjeve.

Përfaqësuesit amerikanë theksuan se takimi nuk ka të bëjë me nisjen e negociatave, por më tepër për të vlerësuar nëse Rusia është “serioze” për të mbyllur luftën në Ukrainë. Nga ana tjetër, pala ruse bëri të ditur se prioritet do të jetë normalizimi i marrëdhënieve me SHBA-në.
Gjatë takimit pati dhe një reagim të Kremlinit, ku zëdhënësi Dimitry Peskov deklaroi në një konferencë për media se Presidenti Vladimir Putin është i gatshëm të negociojë me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, “nëse është e nevojshme”.
Peskov, tha se duhet diskutuar baza ligjore e marrëveshjeve, duke nënvizuar se legjitimiteti i Zelenskyt mund të vihet në dyshim, pasi mandati i tij presidencial ka skaduar në maj të vitit 2024. Sipas Ukrainës lufta dhe gjendja e jashtëzakonshme në Ukrainë e bëjnë të pamundur mbajtjen e zgjedhjeve.