Përfundon protesta e VMRO-DPMNE-së për sonte



Arsyeja për ndërprerjen e seancës së KSHZ-së. siç theksuan anëtarët e Komisionit, ishte zhurma e mëdha dhe shpërthime të shpeshta të fishekzjarre tek dritaret e KSHZ-së. Me përfundimin e seancës së KSHZ-së ku po shqyrtoheshin ankimimet e LSDM-së për parregullsi zgjedhore, ka përfunduar edhe protesta e VMRO-DPMNE-së, e cila ka për qëllim, siç thonë funksionarët dhe mbështetësit e kësaj partie, mbrojtjen e Maqedonisë.
Qindra protestues të cilët sot filluan të tubohen që nga ora 11 kur edhe filloi me punë KSHZ, kanë qëndruar deri në këto momente para objektit të këtij institucioni. Për dallim nga dita e djeshme, protestuesit kanë qenë më të qetë dhe nuk janë dëgjuar fyerje nacionaliste dhe anti-shqiptare.
VMRO-DPMNE i ka furnizuar me dru për ngrohje mbështetësit e vet, të cilët deklaruan se do të dalin edhe nesër në protesta në momentin kur edhe do të fillojë seanca e KSHZ-së, dhe do të vazhdojnë të protestojnë deri sa të jetë e nevojshme për shkak të, siç thonë, mbrojtjes së votës së tyre dhe mbrojtjes së shtetit.
Kujtojmë se mbrëmë qindra protestues të VMRO-DPMNE-së dhe shumë funksionarë të kësaj partie, kanë qëndruar deri në orët e vona të natës, kanë mbajtur fjalime nacionaliste dhe janë dëgjuar brohoritje anti-shqiptare si, “Shqiptarët po e caktojnë fatin e Maqedonisë”, “Mjaft i mbrojtët shqiptarët”, etj.
******
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dënon rëndë fjalimet e djeshme të zyrtarëve të VMRO-DPMNE-së, të cilat gjatë protestës para Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve kanë bërë thirrje për trazira dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes.
Nga Helsinki theksojnë se nga fjalimet e zyrtarëve shihen elemente të veprave që nxisin urrejtje, përçarje ose mosdurim mbi baza diskriminuese nacionale, racore, fetare apo të tjera dhe të rrezikimit të sigurisë tek shumë njerëz, është e dënueshme sipas Kodit Penal.
Nga tje apelojnë deri tek institucionet përkatëse shtetërore, duke përfshirë edhe Ministrinë e Brendshme dhe Prokurorinë Publike për të ndërmarrë masa urgjente kundër këtyre zyrtarëve.