Përveç rritjes së çmimit të bukës, pritet të shtrenjtohen edhe produktet e tjera

Rritja e çmimit të rrymës, pritet t’i kushtojë më shumë qytetarëve edhe në produktet që ata blejnë.
Pronar biznesesh në Kosovë kanë alarmuar se çmimet e produkteve mund të shënojnë ngritje deri në 30% më shumë si shkak i shtrenjtimit të energjisë elektrike.
I pari produkt që do të shtrenjtohet u tha se është buka, çmimi i së cilës rrezikon të shkojë deri në 80 centë.
Pronari i një fabrike mishi në Kosovë, Labinot Talla tha se çmimi i mishit rrezikon të rritet deri në 30% më shumë.

“Po 16% është ndikimi direkt. Pastaj ndikimet indirekte janë edhe për 16% të tjera sepse lënda e parë shtrenjtohet për 16% këto janë zinxhir landën e par e blejë ma shtrenjtë, pastaj e paguan edhe faturën e rrymës dhe në fund këto shkojnë në çmim final të produktit”, tha Talla për RTV21.
Ndërkohë shqetësimin e njëjtë e ka edhe një biznes tjetër në Kosovë i cili merret me prodhimin e metalit.
Përfaqësuesja e kësaj kompanie, Arbnora Musliu, thotë se kompania e tyre 95% të prodhimit të tyre e ka për tregun Evropian, dhe sipas saj nëse shtetet e rajonit kryesisht Shqipëria dhe Serbia nuk kanë shtrenjtim të energjisë elektrike, prodhimin e tyre rrezikon të mos e blejë askush.
“Mua çmimi më rritet aq sa është rritë energjia elektrike, unë prodhojë metal 95% të tregut e kam në Evropë dhe krejt punët më duhet t’i kryej me energji elektrike. Nëse Serbia nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike, Shqipëria nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike produkti jem humb në tregjet Evropiane sepse bëhet shumë i shtrenjtë”, tha Musliu.