Pesë të vdekur në “sulmin terrorist” ndaj kompanisë turke të hapësirës ajrore

221

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, ka njoftuar se “dy terroristë” janë neutralizuar në “sulmin terrorist” në ambientet e kompanisë turke të hapësirës ajrore dhe mbrojtjes TUSASH.

Përmes një postimi të fundit në platformën X, ai tha se nga punonjësit e kompanisë kanë mbetur të vdekur tre persona dhe 14 të lënduar, raporton Klankosova.tv.

“Dy terroristë u neutralizuan në sulmin terrorist që synonte objektet e Industrisë Ajrore Turke (TUSASH) në Kahramankazan të Ankarasë”.

“Fatkeqësisht në sulm kemi 3 dëshmorë dhe 14 të plagosur”, deklaroi ministri Yerlikaya.

Ai e dënoi “sulmin e tmerrshëm”, teksa tha se lufta e Turqisë “do të vazhdojë me vendosmëri deri në neutralizimin e terroristit të fundit”.

Televizioni privat NTV më herët tha se një grup sulmues arritën në hyrjen e kompleksit përmes një taksie gjatë ndërrimit të personelit të sigurisë. U tha po ashtu se të paktën një nga sulmuesit shpërtheu një bombë, ndërsa sulmuesit e tjerë arritën të hynin në kompleks.

NTV tha se të shtënat me armë zjarri në vend po vazhdonin dhe se një pjesë e personelit në kompleks mund të ishin marrë peng.

Helikopterët u panë duke fluturuar mbi ambiente, njoftoi stacioni.

Më herët, raportet e mediave thanë se një shpërthim i përcjellë nga të shtëna me armë u dëgjua në kompleks.

Forcat e sigurisë, ambulancat dhe zjarrfikësit janë dërguar në vendngjarje, njoftoi televizioni NTV.

Punonjësit e kompanisë u dërguan në një zonë të sigurt, njoftoi televizioni HaberTurk. /Klankosova.tv

Comments