Piktura që vallëzon: Universi emocional i Musë Prelvukajt

78
fresco

Ilir Muharremi, kritik i artit
Natyra sa është objektive aq edhe subjektive mbresëlënëse, qetësuese për shpirtin. Bukuritë e saj vija e horizontit, bjeshkët si shpata që shpojnë qiellin, fushat, sukat, ujëvare, të kuadruara me aparat shpirtëror, ashtu nga prodhimi imagjinativ brenda një asociacioni kalamendës në rrjedhën e pjalmës, godasin rrjedhshëm pikturën e artistit Musa Prevukaj. Ajo që të godet në shpirt është kompozicioni, melodia e ngjyrës që krijon organo përtej tonaliteteve ngjyrore, mund ta ndjesh frymën dhe notat muzikore. Është një simfoni herë pranverore e herë dimërore të kapluar me një dramë e drama sikur prezanton atë rrjedhën shpirtërore përmes aparatit individual. Filozofisë e motivit e ndjenë në shpirt, ashtu edhe renditjen e formës, por temën e krijon nga realja subjektive. Gjithçka fillon nga shpirti dhe ndjenja krijuese, aty shohë metamorfozën, silueta hijesh dhe përtej tyre, gjithçka renditet tej kontrastit ngjyror dhe sfondit si mjet bashkëveprimi. Veprat burojnë nga thellësia shpirtërore e artistit, të cilat i ka realizuar me përkushtim dhe profesionalizëm. Natyra me bukuritë e veta magjepse është e dashur për të gjithë ne, por edhe e mistershme, ku autori sikur gjënë më shumë se pamjet , në veçanti kur futet në brendi të saj për të hulumtuar dhe zbërthyer format e ndryshme irreale dhe reale në hapësirën imagjinare. Piktura e artistit Prelvukaj janë shembuj të fuqishëm të një vizioni artistik të rrënjosur thellë në kujtesën kolektive dhe përjetimin personal të vendlindjes, duke u shprehur përmes një gjuhe vizuale ekspresive, ritmike dhe simbolike.

Kjo kompozitë përfaqëson një strukturë të ngjeshur e të gërshetuar me figura që ndërlidhen në një tërësi organike. Në plan të parë, forma të fragmentuara që mund të lexohen si trup njeriu, gurë, copa natyre dhe objekte simbolike janë të vendosura në një hapësirë të thellë teksturore. Ngjyrat janë të tokës kafe, okër, të kuqe të errëta dhe të purpurta duke krijuar një atmosferë që i përket dheut, gurëve dhe rrënjëve. Ka një përdorim intensiv të kontrastit midis të errëtës së poshtme dhe të ndriçuarës së sipërme, ku një qiell pastel me nuanca të ngrohta përçon një ndjesi nostalgjie dhe shprese. Gurët e kuq të vendlindjes, një motiv shpesh i pranishëm në artin e Prelvukajt, këto janë pjesë e një bote të mbushur me kujtime dhe dhembje, duke i dhënë veprës një ndjesi të thellë lidhjeje me Malësinë. Forma janë ritmike, të lakuara, me një lëvizje që përçon tension e njëkohësisht qëndrueshmëri sikur gjithçka rrotullohet rreth një trungu qendror që mund të përfaqësojë figurën e nënës, tokës apo kujtesës. Kjo vepër shfaq tri figura femërore që vallëzojnë, të veshura me veshje tradicionale që mbartin një ngarkesë të madhe identitare dhe shpirtërore. Ngjyrat janë të ndezura, sidomos e kuqja në sfond, e cila krijon një ndjesi tensioni emocional dhe drame, por njëkohësisht të gëzimit kolektiv. Veshjet në të gjelbër, kaltër dhe të zeza përfaqësojnë një diversitet të pasur simbolik dhe gjeografik. Ritmi në këtë pikturë është i theksuar përmes lëvizjes së trupave dhe vijave që gërshetohen. Kjo lëvizje sjell një ndjesi muzikaliteti është një pikturë që duket se vallëzon vetë. Forma të turbullta të fytyrave, mungesa e identitetit të qartë, sugjerojnë universalitetin e përjetimit femëror, ndoshta edhe një humbje identiteti në rrjedhën e kohës dhe ngjarjeve historike.Të dyja veprat shquhen për teksturën e pasur dhe përdorimin e ngjyrave të ngrohta dhe të rënda, që evokojnë jo vetëm natyrën e ashpër të vendlindjes, por edhe pasionin dhe dhimbjen që e përshkon jetën dhe kujtesën kolektive të shqiptarëve në Mal të Zi.
Kontrastet ndërmjet të kaluarës dhe të tashmes, të shpirtërores dhe tokësores, janë thelbësore në këto punime. Prelvukaj duket se punon me “helmetat” e përvojës së vet: trauma, mall, dëshpërim, por edhe krenari dhe dashuri për vendin. Gurët e kuq, një motiv që bart kujtime, përplasje e gjurmë, i japin veprave një ndjesi të rëndë por fisnike si një kujtim që nuk mund të harrohet. Këto piktura janë më shumë se vizualitet janë poema të shkruara me ngjyrë, dritë dhe dhimbje. Një udhëtim përmes kujtesës që kërkon të ruajë shpirtin e një vendi në zhdukje përmes gjuhës së artit.
Vizatimet e Musa Prelvukajt kanë një thellësi të veçantë poetike dhe një stil të dallueshëm që ndërthur ndjeshmërinë personale me simbolet universale. Ai është një artist që flet përmes materialitetit të thjeshtë, por me një fuqi shprehëse të thellë. Në shumicën e vizatimeve të tij, Prelvukaj ndërton një gjuhë vizuale që kapërcen përshkrimin realist. Ai përdor forma të njohura : gurë, vezë, fije, rrënjë, objekte natyrore por i vendos ato në një kontekst simbolik, pothuaj ritual. Vizatimet e tij nuk janë vetëm imazhe, por skena meditative, ku çdo element ka peshë poetike.

midle

Një prej elementeve më të spikatura është vija shpesh e lirë, nervoze, e papërfunduar që krijon teksturë dhe ritëm. Vizatimet e tij nuk janë të mbyllura apo të “përfunduara” në kuptimin tradicional; ato janë më shumë gjurmë mendimesh, ide të lëna të hapura për interpretim. Vija nuk është thjesht një mjet formal, por bartëse e ndjesisë dhe e reflektimit. Prelvukaj punon mjeshtërisht me kontraste: dritë dhe errësirë, butësi dhe ashpërsi, e brishta dhe e qëndrueshmja. Përdorimi i ngjyrës është zakonisht shumë i matur shpesh dominon ngjyra e letrës, me ndërhyrje të zeza, të bardha dhe herë pas here elemente të arta ose të tokës. Shumë vizatime të tij mbartin një atmosferë sakrale. Ato nuk janë vetëm objekte për t’u parë, por për t’u ndjerë. Ka diçka të ngjashme me ikonografinë, por e sjellë në një formë moderne, minimaliste dhe e rrënjosur në natyrë. Elementet si veza, rrënjët, guri, fijet janë të gjitha metafora të jetës, kohës, origjinës dhe qarkullimit. Ndonëse nuk janë të shprehura në mënyrë direkte, në shumë punë të tij mund të ndjesh praninë e peizazhit shqiptar, të tokës, të kulturës dhe memorieve të heshtura. Është një art që flet për identitetin pa nevojën për simbole të zhurmshme përmes një heshtjeje të pasur vizuale. Në tërësi, vizatimet e Musa Prelvukajt janë një udhëtim i brendshëm, një përpjekje për të prekur të padukshmen përmes formës. Ai është një nga ata artistë që jo vetëm vizatojnë me dorë, por edhe me mendje dhe shpirt.

Musë Prelvukaj u lind më 25.10.1950 në Martinaj të Gucisë, katër klasë të Shkollës fillore i kreu në Martinaj kurse tetëvjeçaren në Guci. Shkollën e Mesme të Artit e kreu më 1971 në Pejë. Shkollën e lartë Pedagogjike degën e artit figurativ e kreu më 1973 në Prishtinë dhe Akademinë e Arteve dega e grafikës e kreu më 1977 në Prishtinë. Që kur ishte nxënës dhe student filloi t’i hedh hapat e parë në krijimtarinë e lirë artistike në artet pamore. Në vitin 1970 për herë të parë i botoi punimet në revistën “Zëri i Rinisë”, vazhdoi ti botoheshin edhe disa punime nga gazeta “Rilindja” dhe revista “Zëri i Rinisë”. Në vitin 1980 u bë anëtar i SHAF të Prishtinës ku mori pjesë në shumë ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit, në ekspozitat kolektive grupore dhe personale. Në kohën e lirë të takoheshin kolegë në lokalin “Arabeska” të hotelit “Bozhur”, më vonë në Klubrin e artistëve të hotelit SHAF-së dhe që filloi të merr pjesë në këto aktivitete artistike. Musë Prelvukaj është fitues i shumë çmimeve dhe shumë mirënjohjeve. Disa nga ekspozitat personale: Në galerinë e Ministrisë së Kulturës 2002, me rastin e “Ditës së Evropës” në foajeun e Shtëpisë së Kulturës “Xhemali Berisha”, 2007, në “Papër Gallery” , me Prishtina Bienale 2022. Një numër të konsiderueshëm të ekspozitave kolektive si dhe koloni artistike.

Comments