Policia shpartalon bandën e drogës, janë arrestuar 10 persona

150

Me urdhër të Prokurorit publik për ndjekje të krimit të organizuar është zhvilluar aksion i koordinuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Janë kryer bastisje në 20 lokacione në Shkup dhe një në Gjevgjeli. Gjatë bastisjeve, janë gjetur dhe konfiskuar disa mjete të cilat lidhen me shitjen e drogës dhe substancave narkotike. Nga liria janë privuar 10 persona për të cilët ekziston dyshim i bazuar se janë anëtarë të grupit kriminel, i cili tanimë një periudhë të gjatë kryen vepra penale për tregti me drogë dhe mjete narkotike. Siç njoftojnë nga MPB, anëtarët e grupit kriminel, kanë shpërndarë dhe organizuar shitje në rrugë të substancave narkotike.

“Janë kryer bastisje te 16 persona në gjithsej 21 lokacione të ndryshme në Shkup dhe Gjevgjeli. Gjatë bastisjeve, janë gjetur dhe konfiskuar numër i madh i pajisjeve për të cilat do të kryhet inspektim forenzik. Mes gjërave të gjetura dhe konfiskuara, janë dhe paketime të mëdha dhe të vogla me materie pluhuri”, tha Goce Andreevski – Zëdhënës i MPB-së.

Nga Prokuroria njoftojnë se duke pasur parasysh veprën për të cilën ngarkohen, deri te gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Penale, kanë kërkuar masën e paraburgimit për 10 persona. Nga 14 të dyshuarit njëri tanimë është në paraburgim e tre të tjerë nuk janë të kapshëm për organet e rendit. Nga Prokuroria njoftojnë se aktivitetet nga ky aksion ende vazhdojnë. Nga operacioni i djeshëm e që nuk përmendet as në njoftimin e Prokurorisë e as të policisë, është sekuestruar edhe telefoni i një punonjësi të lartë policor, i cili dyshohet se ka shpërndarë informacione lidhur me klanet Baron, Bellanoca, Gërçec dhe Shtekli. Ditë më parë në Gjevgjeli në afërsi të një hoteli, në tentim për t’u arratisur, u arrestua Rade Trajkovski Shtekli, i dyshuar si udhëheqës i këtij klani të drogës. Tek Shtekli janë gjetur dhe janë konfiskuar, 325,000 denarë dhe 3995 euro, katër vetura, 12 celularë, një revole Zoraki 9mm dhe 22 plumba, fara të panjohura bimësh, materie e panjohur me ngjyrë të gjelbër e gjëra të tjera. Shtekli për policinë është i njohur që nga viti 2011 kur u arrestua në Greqi si i dyshuar në Itali për kurdisjen e ndeshjeve të futbollit. Më pas u ekstradua në Itali, ku u gjykua për rastin. Emri i Rade Trajkovskit disa herë është përmendur në raste serioze kriminale. Jozyrtarisht, është përmendur edhe në vrasjen e futbollistit të ri Martin Janushev, për çka u shpall fletarrest ndërkombëtar. Në vitin 2021, Shtekli u arrestua në Serbi dhe u ekstradua në Maqedoni, ku vuajti gjashtë muaj burg për vepër tjetër sepse për rastin me Janushev, nuk u gjetën prova. Në nëntor të vitit të kaluar u hodh bombë eksplozive në oborrin e shtëpisë së Shteklit në Keramidnicë të Shkupit, ndërsa nga shpërthimi morri vetëm lëndime. Një vit më parë, Shtekli u plagos me armë zjarri në një qendër tregtare./Alsat.mk

Comments