Porosia nga Uashingtoni, O’Brien: NATO shumë më e fortë edhe në veri, Kosova po mbrohet në bashkëpunim me partnerët

256

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Jim O’Brien tha se rreziku në Ballkan ishte se “disa beteja lokale do të shndërrohen në një zjarrvënie politike që do t’i mbajë prapa shtetet e rajonit”.

O’Brien nga Uashingtoni tha se Ballkani Perëndimor i përket Europës dhe se ky rajon “duhet të ecë përpara”.

“Rreziqet kryesore janë në veri të Kosovës dhe me kërcënimet e shkëputjes në Bosnjë e Hercegovinë. Një hap që kemi bërë gjatë vitit të kaluar është se NATO është shumë më e fortë, edhe si forcë parësore si pjesë e forcës së OKB-së, KFOR-it në veri të Kosovës, por edhe si mbështetje për EUFOR-in në Bosnjë e Hercegovinë, dhe mendoj se mund t’i ndalojë grupet e vogla lokale që të shkaktojnë dhunë. Jam gjithashtu i inkurajuar që ka pasur bashkëpunim të mirë me autoritetet serbe, me autoritetet e Kosovës për t’u përpiqur që t’i adresojë rreziqet e dhunës dhe luftimeve të shtuara në veri të Kosovës. Dhe unë mendoj se, me këtë, ne kemi një shans për procesin politik – është dialogu, Plani i Rritjes, gjërat e tjera për t’i trajtuar shkaqet e dhunës”, tha O’Brien të hënën për Tanjugun serb.

I pyetur pse SHBA-ja mbështeti tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në standardet e NATO-s dhe pse Kosovës iu lejua të pajiset me mjete ajrore pa pilot, O’Brien tha se Rezoluta 1244 e OKB-së ka krijuar “një proces politik për të diskutuar të ardhmen e Kosovës”.

“Ai proces u zhvillua dhe rezultoi në pavarësinë e Kosovës. Kosova ka të drejtë ta mbrojë territorin e saj,” tha ai.

“Po e bën këtë në një proces transparent dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë si një mënyrë për ta siguruar mbrojtjen e saj, por pa i kërcënuar fqinjtë e saj. Unë mendoj se në përgjithësi është një lëvizje drejt stabilitetit në rajon dhe se ne do të vazhdojmë ta mbështesim nga SHBA”.

I pyetur për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, O’Brien tha se ka qenë shumë i qartë se mbështesin ecjen përpara për themelimin e tij.

“Janë rreth 400 këso asociacione të komunave anembanë Europës dhe ne mendojmë se ky do të ishte një model i tillë”, tha ai.

“Dialogu është pjesë e mënyrës së adresimit të shqetësimeve. BE-ja ka thënë se çmimi i ecjes përpara si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën është pajtueshmëria e plotë me dialogun. Unë do të theksoj se ne kemi edhe mjete të tjera – krijimi i Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor ofron një mënyrë për të prodhuar faktin e bashkëpunimit për gjëra të tilla si tranziti i mallrave përtej kufijve, bashkëpunimi për taksat, të gjitha llojet e çështjeve praktike që duhet të fillojë të tregojë përfitime për qytetarët dhe të demonstrojë përfitimin e bashkëpunimit në të gjithë rajonin”, tha O’Brien.

Comments