Presidenti Begaj sot në Kosovë – Policia paralajmëron ndërprerje të trafikut në disa rrugë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, sot do ta nisë një vizitë zyrtare dyditore në Kosovë, gjatë së cilës do të zhvillojë një sërë takimesh me përfaqësues institucionalë dhe figura publike në disa rajone të vendit, raporton GazetaSinjali.
Me rastin e kësaj vizite, Policia e Kosovës ka njoftuar se do të ketë ndërprerje të përkohshme të trafikut në disa segmente rrugore, veçanërisht nga pika kufitare në Vërmicë, në përputhje me itinerarin e eskortës presidenciale.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes nga pika kufitare Vërmicë si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës në rajonet e Kosovës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas agjendës, Begaj do të qëndrojë sot në Gjilan, ku nga ora 13:30 do të takohet me kryetarin e Komunës, Alban Hyseni.
Më pas, presidenti shqiptar do të zhvillojë takime me shefat e grupeve parlamentare, si dhe do të marrë pjesë në një bashkëbisedim me personalitete të qytetit të Gjilanit – përfshirë të dënuar politikë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, shkrimtarë dhe artistë.