Presidenti Biden fut Shqipërinë në urdhër për sekuestro pasurish. A prek kjo vetëm për Berishën?

431

Një urdhër ekzekutiv i Presidentit Joe Biden për bllokimin e pasurive dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, përfshin tashmë edhe Shqipërinë dhe zgjeron objektin e saj, duke përfshirë personat që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike.

“Urdhri zgjeron hapësirën gjeografike të regjimit ekzistues të sanksioneve, duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe zgjeron kriteret për kërcënimet aktuale ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe interesave të politikës së jashtme në rajon, duke përfshirë pengimin e proceseve demokratike dhe gjyqësore, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, thuhet në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë.

Përveç bllokimit të pasurive, dekreti u ndalon këtyre personave dhe hyrjen në territorin e SHBA.

Ky Urdhër Ekzekutiv i cili është vazhdim i atij fillestar të vitit 2001, që parashikon sanksione për individë të Ballkanit Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, për herë të pare përfshin Shqipërinë, i cili është shteti i vetëm që përmendet me emër.

Presidenti amerikan Joe Biden ka shpjeguar në një letër për Senatin dhe Kongresin amerikan se bëhet fjalë për ndryshimin e një dekreti ekzistues që firmosur në qershor 2001 që përfshinte ish-Jugosllavinë. Tashmë në këtë dekret do të jetë e përfshirë dhe Shqipëria.

Pyetja që shtrohet tani është, vallë Shqipëria futet në një urdhër ekzekutiv të 20 viteve  parë, vetëm për ish kryeministrin Sali Berisha që është larguar tetë vjet më parë nga pushteti?

Lexoni se si e argumenton z.Biden Urdhrin ekzekutiv: “Unë Presidenti i SHBA-ve zgjeroj fushën e emergjencës kombëtare të deklaruar në Urdhrin Ekzekutiv 13219 të 26 Qershorit 2001 (Bllokimi i Pronës së Personave që Kërcënojnë Përpjekjet Ndërkombëtare të Stabilizimit në Ballkanin Perëndimor), ndryshuar me Urdhrin Ekzekutiv 13304 të 28 majit 2003 (Përfundimi i Emergjencave në lidhje me Jugosllavinë dhe Modifikimi i Urdhrit Ekzekutiv 13219 të 26 Qershorit 2001), duke gjetur se situata në territorin e ish Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë dhe Republika e Shqipërisë (Ballkani Perëndimor), gjatë dy dekadave të fundit, duke përfshirë minimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës pas prishjes së ish Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë, si dhe korrupsionit të përhapur brenda qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Perëndimin Ballkani, pengon progresin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike, dhe në këtë mënyrë përbën një kërcënim i pazakontë dhe i jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”, bëhet e ditur ndër të tjera në udhërin e firmosur nga Biden.

Dekreti do të përfshirë persona të cilët janë të lidhur me korrupsionin dhe do të ketë efekt mbi ish-zyrtarë apo zyrtarë aktualë të qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë përdorur asetet publike për të përfituar personalisht apo për qëllime politike.

Në letrën që Biden i dërgon Senatit dhe Kongresit amerikan thuhet se bëhet fjalë për ndryshimin e një dekreti ekzistues që firmosur në qershor 2001 që përfshinte ish-Jugosllavinë. Tashmë në këtë dekret do të jetë përfshirë dhe Shqipëria.

“Në kuadër të situatës në territorin e ish Federatës Socialiste të Republikës së Jugosllavisë dhe Republikës së Shqipërisë në dy dekadat e fundit, përfshi cenimin e marrëveshjeve të pasluftës si dhe institucioneve pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, si dhe përhapja e gjerë midis qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor dëmton progresin kundrejt qeverisjes efektive dhe demokratike, integrimin e plotë drejt institucioneve transatlantike dhe kësisoj është një kërcënim i jashtëzakonshëm ndaj sigurisë kombëtare dhe politikave të jashtme të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në letrën e Biden.

Në dekret thuhet: Të gjithë pronat apo interesat mbi pronat që janë në Shtetet e Bashkuara, që vijnë në të ardhmen në Shtetet e Bashkuara, ose që vijnë në të ardhmen në pronësi apo në kontroll të një personi në Shtetet e Bashkuara do të bllokohen dhe nuk mund të transferohen, paguhen ,eksportohen, tërhiqen; nga asnjë person i përcaktuar nga Departamenti i Thesarit, në konsultim me Sekretarin e Shtetit.

Vendimi është përshëndetur dhe nga ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, e cila thekson se lufta kundër korrupsionit është thelbi i sigurisë kombëtare të SHBA. Vendimi vjen në një kohë që SHBA ka shpallur non grata në Shqipëri, Sali Berishën dhe familjarët e tij.

Shumë thonë se Berisha është vetëm maja e ajsbergut të kësaj furtune presidenciale amerikane.

Comments