Presidentja kthen në Kuvend “shqipen e çerdheve”! Limani: Për shqiptarët, certifikatat do të jenë në gjuhën shqipe
Presidentja Gordana Siljanovska, më 31.12.2024 njoftoi kryetarin e Kuvendit Afrim Gashin se nuk do ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, i cili parasheh përdorimin e licencave në dy gjuhë nëpër çerdhe. Në sqarimin e Presidentes, thuhet se ndryshimet e miratuara në ligj përmbajnë disa dispozita të diskutueshme. Në dokument, Siljanovska thotë se ka bërë një analizë dhe konsultime ekspertësh, pas së cilës kërkon rishikimin e dispozitave të neneve 9 dhe 10 të projektligjit.
Reagoi Fronti Europian nga ku thonë se veton e parë presidentja e bëri kundër gjuhës shqipe. Sipas tyre aparati shtetëror bënë përpjekje të pandalshme për të shtypur gjuhën shqipe dhe për të zhvlerësuar shqiptarët në vend.
Ndërkaq, qëndrimi i VLEN-it është se vendimi i presidentes Siljanovska, është i motivuar nga politika ditore dhe i marrë nën presion të Levicës dhe LSDM-së.
Por çfarë do të bëhet me tutje dhe si do të përfundojë kjo procedurë, pyetëm ministrin për politikë sociale, Fatmir Limanin. Ai shkurt u përgjigj: “Për shqiptarët, certifikatat do të jenë në gjuhën shqipe”.
Ndryshe, deputetët në Kuvend e votuan këtë ligj më 24 dhjetor 2024 në kuadër të seancës së 27-të plenare, me shumicë të thjeshtë dhe Badinter. Me mosnënshkrimin e Dekretit, tashmë ndryshimet ligjore i rikthehen Kuvendit dhe nëse votohen sërish, Presidentja do të jetë e detyruar ta nënshkruajë dekretin.