Prokuroria nis procedurë hetimore ndaj një 33-vjeçari nga Maqedonia, i dyshuar për vrasjen e Orhan Bajramit në Greqi
Prokuroria Themelore Publike në Shkup njofton se ka lëshuar urdhër për zbatimin e procedurës hetimore kundër një personi, që dyshohet se së bashku me një person tjetër, kanë vrarë në Greqi shtetasin e Maqedonisë së Veriut, Orhan Bajramin.
Prokuroria deri te Gjykata Penale ka parashtruar kërkesë për përcaktimin e masës së paraburgimit ndaj shtetasit 33 vjeç të RMV-së.
“I dyshuari 33-vjeçar, më 15 korrik 2023, në Hanioti të Republikës së Greqisë, së bashku me një person tjetër të panjohur për momentin, me dashje i kanë marrë jetën tashmë të ndjerit Orhan Bajrami dhe rrezikuan jetën e katër personave të tjerë. Pas një marrëveshjeje të mëparshme, i dyshuari dhe bashkëkryerësi i veprës, të maskuar kanë mbërritur në kompleksin turistik ku po qëndronte viktima dhe i janë afruar derës së hapur të ballkonit të pasmë. I dyshuari nga arma “Zastava e kuqe” me kalibër 7.65 mm ka shtënë 11 plumba, ndërsa bashkëpunëtori i tij me një pistoletë të kalibrit të njëjtë ka shtënë edhe 8 plumba në drejtim të të dëmtuarve. Nga të gjithë plumbat, tre kanë përfunduar në trupin e tani të ndjerit, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë.