Pronari i OpenAI akuzohet nga motra e tij për përdhunim, ai i mohon të gjitha
Ann Altman, motra e CEO-së së OpenAI, Sam Altman, ka ngritur një padi kundër vëllait të saj, duke pretenduar se ai e ka abuzuar seksualisht në mënyrë të përsëritur midis viteve 1997 dhe 2006.
Në padinë, e cila u paraqit më 6 janar në Gjykatën e Qarkut për Distriktin Lindor të Misurit, Ann pretendon se abuzimi ka filluar kur ajo ishte 3 vjeç dhe vëllai i saj ishte 12 vjeç, raporton BBC.
Në një deklaratë për platformën X, Altman, së bashku me nënën dhe dy vëllezërit e tij, mohojnë akuzat, duke thënë se “të gjitha pretendimet janë plotësisht të pavërteta.”
“Kujdesi për një anëtar të familjes që përballet me sfida mendore është jashtëzakonisht i vështirë,” thuhet më tej në deklaratë.
“Kjo situatë po shkakton dhimbje të jashtëzakonshme për të gjithë familjen tonë,” thuhet në deklaratë.
Në padinë, të cilën BBC e ka parë, Ann Altman pretendon se abuzimi, që ka zgjatur për shumë vite, përfshinte edhe përdhunim.
Gjithashtu, në padi thuhet se rasti i fundit i supozuar i abuzimit ka ndodhur kur Sam Altman ishte madhor, ndërsa ajo ende ishte e mitur.
Padia kërkon një gjykim me juri dhe dëmshpërblim mbi 75,000 dollarë amerikanë.
Ann Altman më parë ka bërë akuza të ngjashme kundër vëllait të saj në platforma të mediave sociale, si platforma X.
Sam Altman është një nga figurat më të njohura në botën e teknologjisë. Ai u bë i famshëm globalisht në fund të vitit 2022 kur OpenAI lançoi ChatGPT, një chatbot revolucionar i bazuar në inteligjencën artificiale.