Pse po thyen rekorde tani Bitcoin-i?

Çmimi i kriptomonedhës më të madhe në botë u rrit me 6.1 për qind të enjten duke arritur vlerën prej 103.800 dollarëve, e cila është madje 50 për qind më shumë se çmimi që kishte një ditë pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Bitcoin ka kaluar shifrën prej 100 mijë dollarëve për herë të parë në histori, raporton Financial Times.
Arsyeja për këtë duhet të kërkohet kryesisht në faktin se investitorët po llogarisin në një mbështetje më të madhe politike dhe rregullatore nga presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, por edhe në sasinë e madhe të parave institucionale që janë derdhur në kriptovalutat.
Ndryshimi i qëndrimit të republikanit ndaj kriptomonedhave, të cilat ai më parë i kritikoi si “mashtrime”, erdhi pasi investitorët e mëdhenj të kriptovalutave financuan fushatën e tij.

Të mërkurën, Trump emëroi avokatin e tregut të kriptovalutave, Paul Atkins, për të udhëhequr Komisionin e Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim (SEC). Por kjo nuk është e gjitha.
Trump, i cili ka premtuar se do ta bëjë SHBA-në “superfuqinë botërore të Bitcoin”, ka emëruar tashmë disa entuziastë të kriptovalutave në rolet kryesore në qeverinë e ardhshme të SHBA-së.
Kjo zgjedhje përfshin Howard Lutnik për të udhëhequr Departamentin e Tregtisë dhe natyrisht Elon Muskun për të udhëhequr Departamentin e sapoformuar të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE).
“Bitcoin që arrin 100 mijë dollarë është një moment historik i jashtëzakonshëm për lëvizjen tonë. Nuk kemi dyshuar kurrë. Kurrë nuk u lëkundem. Dhe ne kurrë nuk do të ndalojmë së ndërtuari”, shkroi në X Chris Marszalek, CEO i Exchange Crypto.com.
Rritja e kriptomonedhës mbi 100 mijë dollarë vjen dy vjet pas ditëve më të errëta për kriptovalutat. Gjegjësisht, në fund të vitit 2022, kolapsi i FTX shkaktoi një krizë tregu dhe e uli çmimin e Bitcoin në 16 mijë dollarë.