Putin pajtohet që të ndalë sulmet ndaj sektorit të energjisë në Ukrainë

59
fresco

Gjatë bisedës telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump, presidenti rus, Vladimir Putin, është pajtuar që të ndalë sulmet ndaj sektorit të energjisë të Ukrainës dhe infrastrukturës për 30 ditë, si një hap drejt arritjes së një armëpushimi të plotë.

Sipas njoftimeve për telefonatën e zhvilluar më 18 mars – që zgjati mbi 90 minuta – nga Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë u tha se janë të përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje për paqe afatgjatë me qëllim që t’i jepet fund luftës në Ukrainë.

“Udhëheqësit janë pajtuar se lëvizja drejt paqes të fillojë me një armëpushim për energjinë dhe infrastrukturën, por edhe negociata teknike për zbatimin e një armëpushimi detar në Detin e Zi, një armëpushim të plotë dhe paqe të përhershme. Këto negociata do të nisin menjëherë në Lindjen e Mesme”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.

Paraprakisht, Trump kishte deklaruar se ka një mundësi të mirë për t’i dhënë fund luftës trevjeçare në Ukrainë.

Kur u pyet më 16 mars lidhur me koncesionet e mundshme që mund të kërkohet për t’u arritur një armëpushim, Trump tha se “ne do të flasim për territorin. Do të flasim për centralet elektrike”.

“Mendoj se për shumë gjëra veçse kemi diskutuar me të dyja palët, Ukrainën dhe Rusinë”, shtoi ai.

Trump e ka bërë prioritet kryesor në nisje të mandatit të tij të dytë presidencial arritjen e një armëpushimi në luftën trevjeçare në Ukrainë.

Pas bisedimeve në Arabinë Saudite, zyrtarët ukrainas dhe amerikanë njoftuan më 11 mars se Kievi ishte pajtuar për një propozim lidhur me një armëpushim 30-ditor.

midle

Moska deri më tani ka reaguar ftohtë lidhur me këtë ide, teksa Putini ka sugjeruar për kushte shtesë, përfshirë ngrirjen e dërgesave të armëve amerikane për Kievin.

Ndërkaq, një zyrtar i lartë rus th se Moska do të insistojë që Ukrainës të mos i lejohet të anëtarësohet në NATO dhe të mbetet “neutrale” në çdo marrëveshje të mundshme të paqes, kushte që Kievi për një kohë të gjatë i ka refuzuar.

Një nga arsyet e para që Kremlini kishte përdorur për të justifikuar pushtimin e Ukrainës, që nisi më 2022, vazhdon të jetë një nga kërkesat kryesore të Kievit: Anëtarësimi në NATO.

Më 14 mars, Putin tha se çdo marrëveshje duhet të çojë në paqe afatgjatë dhe të adresojë arsyet “thelbësore” për nisjen e luftës – referencë për zgjerimin e NATO-s dhe zhvillime të tjera që Putin pretendon se e kanë vënë në rrezik sigurinë e Rusisë.

Në deklaratat e publikuara më 17 mars, zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Aleksandr Grushk, tha për të përditshmen ruse, Izvestia se “ne do të kërkojmë që garanci të forta të sigurisë të bëhen pjesë e kësaj marrëveshjeje”.

“Pjesë e këtyre garancive duhet të jetë edhe statusi neutral i Ukrainës, refuzimi i shteteve të NATO-s që ta pranojnë në aleancë”, tha ai.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensy, shpesh ka shprehur qëndrimin se që Kievi të pranojë ndonjë marrëveshjes të paqes, ajo duhet të shoqërohet me garanci të sigurisë për Ukrainën nga partnerët e saj perëndimor, përfshirë që një ditë Kievi të bëhet pjesë e NATO-s.

“Kam insistuar për [anëtarësimin e Ukrainës në] NATO, por e dini se cilat kanë qenë përgjigjet”, tha ai në shkurt, duke sugjeruar se rruga për t’u bashkuar me aleancën ushtarake perëndimore mbetet e bllokuar.

Më 16 mars, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha në një intervistë për CBS se një marrëveshje përfundimtare për paqe “do të kërkojë shumë punë të vështirë, koncesione nga të dyja palët, nga Rusia dhe Ukraina”, duke shtuar se do të ishte e vështirë të fillonin bisedime të tilla “derisa ata po qëllojnë njëri-tjetrin”. /REL

Comments