Qeveria kritikohet për mungesë strategjie, LVV-ja paralajmëron propozime të tjera

435

Improvizuese dhe pa qëllime të qarta e ka kualifikuar opozita qasjen e deritashme të Qeverisë Kurti në procesin e dialogut me Serbinë. Në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës është thënë se nuk duket në horizont një marrëveshje ndërmjet palëve, me gjithë përpjekjet e faktorit ndërkombëtar.

Shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Abelard Tahiri, tha se qëllimi nuk duhet të jetë vetëm njohja reciproke, por edhe anëtarësimi i Kosovën në OKB.

“Nuk ka një agjendë, e cila mund të diskutohej ndërmjet partive në pushtet dhe partive opozitare. E shoh një qasje të gabuar të pikënisjes së Qeverisë sonë. Kur jemi te njohja, unë nuk besoj që qëllimi ynë final duhet të jetë njohja Kosovë-Serbi. Këtu është gabimi që ne e bëjmë, sepse edhe nëse ajo ndodh dhe pengesën e kemi në Këshill të Sigurimit nga Rusia dhe Kina, realisht Republika jonë nuk po arrin të përmbyllë subjektivitetin ndërkombëtar”, tha Abelard Tahiri.

Ndërkaq deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, deklaroi se Qeveria Kurti po improvizon dhe po taktizon në këtë proces.

“Duket se ka një mospërgatitje për këtë temë, sikur ka improvizime dhe taktizime në hapa, por jo pozicion të qartë të Kosovës për këtë proces. Qasja fillestare tregon për qasjen joserioze që ka kjo qeveri. Ne të gjitha dokumentet ia kemi dorëzuar në pranim-detyrën, përkundër që ne nuk kemi pranuar asgjë që kemi marrë”, tha Selmanaj.

Kritika për përmbajtjen e propozimeve të Kurtit ka adresuar edhe Besnik Tahiri i AAK-së.

“Kryeministri Kurti nuk ka strategji, ka taktizim, aspekti strategjik mungon, ka taktika. Në aspektin taktik ka vepruar mençur duke çuar katër pika, pasi shkoi edhe ai me propozim. Mirëpo në dialog me fasilitues si BE nuk është taktika, por përmbajtja dhe strategjia, e cila ishte katastrofë. Kërkoi nga CEFTA të bëhet SEFTA, e që në esencë është Mini-Shengen”, deklaroi Besnik Tahiri.

Por deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha se të gjitha marrëveshjet e dëmshme do të zëvendësohen me propozime të reja.

“Të gjitha përpjekjet mund t’i bëjmë në Kosovë, të kemi unitet brenda krerëve institucionalë, të kemi bashkërendim të qëndrimeve edhe me partitë opozitare, por dialogu nuk mund të ketë rezultat për faktin se në anën tjetër është një udhëheqës siç është Vuçiqi, pjesë e establishmentit të Milosheviqit dhe mundem të takohemi prapë në formate të tilla të kërkojmë rezultat dhe i njëjti nuk mund të jetë pa qenë dy palët. Tash e kemi një rikonfirmim të qëndrimit të Serbisë që duhet të kemi kujdes edhe kur themi se jemi në fazën finale të dialogut. A dëshirojmë finale të dialogut me një president që thotë se nuk e njoh pavarësinë e Kosovës, ku kryesorja dhe përmbajtjesorja është njohja e ndërsjellët?” – tha Kusari-Lila.

Pjesë e kësaj konference ishte edhe ambasadori i Zvicrës në Prishtinë, Thomas Kelly, i cili kërkoi një rol më aktiv të Kuvendit në këtë proces.

Comments