Qyteti i Ferizajt po përballet me reduktime të mëdha të energjisë elektrike

70

Qyteti i Ferizajt po përballet me reduktime të mëdha të energjisë elektrike

Krahas qytetit, edhe fshatrat përreth tij më shumë po janë pa energji elektrike se sa me të, në këto 48 orët e fundit.

Për këto probleme me reduktime, nga KEDS-i thonë se një gjë e tillë po ndodh për shkak të rritjes së konsumit të energjisë elektrike.

Zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi thotë se mbingarkesa po shkakton këto telashe dhe një pjesë e konsumatorëve po ballafaqohen me këtë, e madje po rrezikohen edhe asetet, duke çuar deri në djegjen e tyre.

“Rritja tej mase e konsumit të energjisë elektrike ka shkaktuar një varg mbingarkesash në shumë pjesë të Kosovës. Mbingarkesa, si e tillë, po shkakton telashe në disa zona kyçe. Si rrjedhojë, një pjesë e konsumatorëve janë duke u ballafaquar me sfidë të furnizimit me energji elektrike, pasi po rrezikohen asetet dhe po vjen deri te djegia e tyre që, si pasojë, konsumatorët po mbesin për një kohë pa energji elektrike deri në zëvendësimin e aseteve, ku në raste të caktuara përfshijnë kabllot e deri te transformatori”, tha Krasniqi për Reporteri.net.

Por, sipas tij, edhe në këto kushte, KEDS-i po arrin t’i furnizojë mbi 85 për qind të konsumatërove vazhdimisht.

Zëdhënësi i KEDS-it në një deklaratë për Gazetën Online Reporteri.net i bëri thirrje qytetarëve që të bëjnë kursim maksimal të energjisë, në veçanti të kujdesen për ngrohjen me rrymë që kjo situatë të përballohet më leht.

“Edhe në këto rrethana, po arrijmë t’i furnizojmë mbi 95 për qind të konsumatorëve në vazhdimësi, krejt kjo si rezultat i investimeve të vazhdueshme në rrjet.
Konsumi, që po arrin nivele rekorde historike deri në 1500MW/h, i cili, krahasuar me vitin 2013, kur KEDS-i kishte filluar së operuari, ishte rreth 1000MW/h, përveçse po përballohet në masë të madhe falë këtyre investimeve, po mbulohet komplet nga prodhimi vendor dhe importi, i cili po arrin deri në 500 megavatë në orë.

“Bashkëpunimi juaj është thelbësor në këto ditë. Apelojmë tek të gjithë konsumatorët që të bëjnë kursim maksimal të energjisë, posaçërisht të kujdesen për ngrohjen me rrymë, në mënyrë që të lehtësohet gjendja dhe rrjeti distributiv ta përballojë më lehtë”, tha Krasniqi

Comments