Rama: Kush thotë që “Mini-Shengeni” u projektua për ta rikompozuar Jugosllavinë jeton në botë paralele

327

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se iniciativa e “Mini-Shengenit” nuk është nismë ekskluzive e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Sa herë duhet ta përsërisim që kjo është një nismë e hapur për të gjithë? Sa herë duhet ta përsërisim që cilido që dëshiron të na bashkohet në këtë nismë është i mirëpritur të na bashkohet? Ne nuk mund të presim konsensus për t’u takuar nga të gjithë. Ne nuk kemi marrë përsipër të bëjmë karikaturë ballkanike të BE-së këtu që çohet njëri dhe thotë vë veton dhe s’duhet të takoheni, ose çohet tjetri dhe thotë unë vë veton dhe ju nuk duhet ta nënshkruani atë ose këtë marrëveshje”.

“Ne nuk e kemi luksin që të humbasim kohë, se kemi humbur shekujt. Ne nuk mund ta bëjmë si ata dy ballkanasit që luftonin për Sulltanin dhe u shquan në marrjen e një kështjelle”.

Rama, në Forumin Ekonomik të Shkupit, ka thënë se kushdo që thotë se kjo është nismë për të rikompozuar Jugosllavinë jeton në botë paralele, shkruan Klankosova.tv.

“Kush thotë që kjo është është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë për të rikompozuar Jugosllavinë dhe për t’i dhënë hegjemoninë Serbisë se Serbia është më e madhe dhe do të vijë të na marrë krejt çka kemi e para jeton në një botë paralele, e dyta jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave mes njerëzve dhe e treta harron se po të nisemi kështu duhet të themi që edhe Bashkimi Europian është një Jugosllavi e madhe”.

“Nëse BE-ja është Jugosllavia e madhe, atëherë po është kjo është Jugosllavia e vogël. Në fakt jo, kjo është as më shumë e as më pak se krijimi i një hapësire që jeton me parimet, vlerat dhe mekanizmat e BE-së në ndërkohë që secili nga vendet bën përpjekjen e tij për t’u integruar në Bashkimin Evropian”

Comments