Ramadani nga ASH: Jo me ultimatume, por dialog, respekt reciprok dhe bashkëpunim parimor

75
fresco

“Kryesia e Aleancës për Shqiptarët së bashku me kryetarët e degëve, në përputhje me parimet tona të përfaqësimit të drejtë dhe gjithëpërfshirës, miratoi vendimin që në zgjedhjet lokale të ardhshme të garojë me lista të veçanta për këshilltarët komunalë. Ky vendim buron nga bindja se fuqizimi i zërit tonë në nivel lokal është thelbësor për realizimin e një qeverisjeje më efikase dhe të ndjeshme ndaj nevojave të qytetarëve.
Në lidhje me përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë komunash, shprehëm gatishmërinë për një proces transparent dhe të matur, përmes anketave të pavarura dhe sondazheve profesionale, si mënyra më demokratike për të identifikuar kandidatin më të pranueshëm e më përfaqësues për secilën komunë. Për fat të keq, ky propozim nuk gjeti mbështetjen nga partnerët tanë, mirëpo konsiderojmë se nuk duhet të jetë një mundësi e humbur për thellimin e demokracisë së brendshme dhe përforcimin e legjitimitetit publik.
Aleanca për Shqiptarët mbetet një partner i përkushtuar brenda koalicionit VLEN. Ne besojmë në dialogun e hapur, në respektin reciprok dhe në bashkëpunimin mbi baza parimore. Megjithatë, si subjekt serioz politik, nuk mund të veprojmë nën ultimatume apo kushtezime që shkojnë në kundërshtim me vlerat tona dhe me vullnetin e anëtarësisë sonë.
Hapat tanë të mëtutjeshëm do të varen nga qëndrimet dhe vendimet që do të marrin partnerët tanë në VLEN. Jemi të gatshëm të vazhdojmë bashkëpunimin në çdo formë që respekton parimet e barazisë dhe interesin qytetar.
Ne mbetemi të përkushtuar ndaj frymës së bashkëpunimit që prodhon rezultate konkrete për qytetarët dhe ndaj një politike që vendos përmbajtjen mbi formën dhe interesin publik mbi llogaritë e ngushta partiake” ka shkruar Ramadani./TS/

Comments