Raportohet për 35 persona të vdekur në Rafah nga sulmet ajrore izraelite

286

Punëtorët shëndetësorë palestinezë kanë thënë se sulmet ajrore izraelite kanë lënë të vdekur të paktën 35 persona të dielën, si dhe kanë goditur tendat e personave të zhvendosur në qytetin jugor Rafah.

Shumë persona tjerë është raportuar të jenë përballur me flakët e zjarrit.

Ministria e Shëndetësisë së Gazës ka thënë se gratë dhe fëmijët përbëjnë numrin më të madh të të vdekurve dhe plagosurve.

Për këto sulme raportohet dy ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka urdhëruar Izraelin për t’i dhënë fund ofensivës ushtarake në Rafah, ku më shumë se gjysma e popullsisë 2.3 milionëshe të Gazës është strehuar, para se të niste ofensiva izraelite aty, më herët gjatë këtij muaji.

Dhjetëra mijëra njerëz vazhdojnë të jenë ende në Rafah, ndërsa shumë të tjerë kanë ikur.

Pamjet prej skenës së sulmit ajror izraelit kanë shpërfaqur shkatërrim të madh.

Ushtria izraelite e ka konfirmuar sulmin dhe ka thënë se ka goditur instalime të Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – dhe që ka vrarë dy militantë të lartë të grupit.

Sulmi ajror është realizuar disa orë pasi Hamasi ka thënë se ka nisur një mori raketash prej Gazës deri në Tel Aviv të Izraelit, si shenjë qëndrese pas më shumë se shtatë muajve, prej kur ka nisur ofensiva ajrore dhe tokësore e Izraelit.

Izraeli nuk ka raportuar për ndonjë viktimë apo dëm nga raketat e Hamasit dhe ka thënë se disa prej tyre janë kapur dhe shkatërruar në ajër.

Sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, lufta në mes të Izraelit dhe Hamasit ka lënë të vrarë rreth 36.000 palestinezë.

Izraeli e fajëson Hamasin, me arsyetimin se po operon në zona të banueshme.

Hamasi e ka nxitur këtë luftë më 7 tetor të vitit të kaluar, pas një sulmi në tokën izraelite.

Në atë sulm, militantët e Hamasit kanë vrarë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe kanë marrë peng 250 të tjerë.

Hamasi ende i mban peng rreth 100 persona.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu beson se Izraeli duhet të marrë kontrollin e Rafahut për të eliminuar batalionet e mbetura të Hamasit dhe që të arrijë “fitore të plotë” ndaj militantëve, të cilët së fundi janë rigrupuar në pjesë tjera të Gazës. /REL/

Comments