Reagon Franca: Veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës rrezikojnë perspektivën e heqjes së masave
Dy ditë më parë në 10 komuna të Kosovës policia zhvilloi një aksion-bastisje.
Ky aksion kishte të bënte me mbylljen e dhjetëra institucioneve dhe komunave paralele serbe që po funksionin ende në Kosovë.
E në lidhje me këtë aksion nga Prokuroria në Prishtinë u deklaruan se nuk kanë dhënë urdhër dhe sipas tyre s’ka pasur prova të mjaftueshme për t’u kryer një bastisje e tillë.
Përpos prokurorisë, reagime të vazhdueshme pati edhe nga ndërkombëtarët, të cilët thanë se këto çështje duhet zgjidhur përmes dialogut.
Një reagim erdhi sot edhe nga Franca. Ministria e Punëve të Jashtme të Francës ka lëshuar një njoftim për media në lidhje me këto veprime të Qeverisë së Kosovës.
MPJD e Francës tha se Parisi zyrtar shpreh keqardhje për mbylljen e njëanshme meqë një vendim i tillë ndikon negativisht në jetën e përditshme të popullatës serbe të Kosovës.
Gjithashtu, veprimet e tilla të Qeverisë Kosovës thonë se rrezikojnë përpjekjet për normalizim të raporteve me Serbinë në kuadër të Dialogut.
“Franca shpreh keqardhjen për mbylljen e njëanshme nga qeveria e Kosovës më 15 janar të një numri të madh të strukturave administrative serbe në Kosovë, vendim i cili do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme të popullatës serbe të Kosovës. Kjo rrezikon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut nën patronazhin e Bashkimit Evropian”, thuhet në reagim.
Në fund, thuhet se ky veprim i njëanshëm i Kosovës rrezikon perspektivat e heqjes së masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.
“Ky veprim i njëanshëm rrezikon perspektivat e heqjes së masave kufizuese ndaj Kosovës. Franca bën thirrje për respektimin e angazhimeve të marra nga palët për të përparuar në zbatimin e marrëveshjes Bruksel-Ohër” përfundon reagimi./Lajmi.net/