REL: S’ka negociata për Shqipërinë, shkak kundërshtimi i Bullgarisë për RMV

308

Të martën do të diskutohet procesi i zgjerimit në Luksemburg në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, por nuk pritet ndonjë vendim i rëndësishëm, për vendet që presin zyrtarizimin e fillimit të negociatave. Dhe Shqipëria këtë herë duket se penalizohet nga Maqedonia e Veriut.

 

Sipas burimeve janë shuar të gjitha gjasat që në këtë takim të miratohen kornizat për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kjo për shkak se Bullgaria nuk ka hequr dorë nga kundërshtimi për Maqedoninë e Veriut dhe si pasojë disa vende nuk dëshirojnë që të diskutohet dhe vendoset vetëm për Shqipërinë.

Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian të dyja këto vende kandidate i kanë përmbushur të gjitha kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit, por vendimi për një hap të tillë merret në Këshill vetëm nëse të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së bien dakord për një gjë të tillë.

Lexo edhe :  Java vendimtare – Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin çeljen e negociatave

Të martën do të zhvillohen të ashtuquajturat konferenca ndër-qeveritare mes BE-së dhe Malit të Zi, dhe BE-së me Serbinë. Ato do të jenë vetëm të karakterit politik dhe nuk do të përfshijnë hapjen apo mbylljen e ndonjë kapitulli negociues.

Sakaq, Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë nisur takimin e tyre në Luksemburg për një sërë temash, që nga situata në Bjellorusi dhe deri te dialogu mes Kosovës dhe Serbisë./REL

Comments