Rikthimi i temperaturave përvëluese, mjekët alarmojnë për pasojat nga ekspozimi i gjatë në diell
Ekspozimi i tepërt në diell gjatë muajve të verës mund të sjellë në paraqitjen e sëmundjeve të ndryshme të lëkurës. Mjekët thonë se njëra nga format më të rënda të ndryshimeve në lëkurë të cilat ndodhin për shkak të qëndrimit të gjatë në diell është ndryshimi i nishaneve në lëkurë, të cilat mund të kalojnë në sëmundje malinje e të cilat mund të çojnë deri në trajtime të rënda mjekësore të lëkurës.
“Rrezet UV-A dhe UV-B janë ato të cilat shkaktojnë dëmtime të mëdha, përkatësisht mund të paraqesin derisa qëndrojmë gjatë në diell. Mund të paraqiten djegie, skuqje në lëkurë, është një proces i ndezjes së lëkurës. Të shpeshta janë alergjitë e diellit. Ato mund të shkaktohen për arsye të ndryshme. Kemi njerëz me ngjyrë shumë të bardhë të lëkurës… Megjithatë alergjitë mund të paraqiten edhe nga faktorë të tjerë si përdorimi i ilaçeve të ndryshme, personat të cilët marrin antibiotikë të ndryshëm apo ata të cilët përdorin terapi për presionin e lartë të gjakut”- deklaroi Dr.Vesna Pljakoska, Dermatovenerologe.
Fëmijët janë kategoria më e prekur nga rrezet ultra UV-a dhe UV-b që lëshon dielli. Dermoatologët apelojnë që mbajtja e syzeve dhe përdorimi i kremrave të cilat mbrojnë nga dielli të jenë të domosdoshme për fëmijët.
“ Fëmijët janë kategoria më e ndjeshme dhe tek ta duhet të jemi më të kujdesshëm. Tek ta është e detyrueshme mbrojtja preventive si përdorimi i kremit mbrojtës sepse lëkura e tyre ende nuk e ka të zhvilluar mekanizmin mbrojtës. Lëkura më së shumti vuan gjatë fëmijërisë ndërsa pasojat i vuajmë më vonë E dimë se dielli ka efekte akumulative në lëkurë të cilat gjatë jetës do të manifestohen si probleme më të mëdha”- pohoi Dr.Vesna Pljakoska, Dermatovenerologe.
Në këto ditë të nxehta mjekët rekomandojnë që qytetarët të mos dalin pa nevojë në diell prej orës 11 deri në orën 16.00 të pasdites. Të përdoren kremra mbrojtës kundër diellit, të konsumohen sa më shumë lëngje si dhe të vishen rroba sa më të lehta dhe me ngjyra të hapura.
Vjollca Aliti