Rriten edhe çmimet e fruta-perimeve

305

Një kilogram pjeshkë 80 deri në 120 denarë, kajsitë 120 denarë, një copë misër 20 denarë, kumbulla 40 deri në 100 denarë, një kilogram domate shitet për 50 denarë. Kështu lëvizin çmimet e perimeve dhe frutave në tregje. Qytetarët thonë se çmimet janë të larta në këtë periudhë të vitit, veçanërisht pasi disa frutave iu kalon sezoni, ndërsa çmimet nuk po bien.

“Është turp, është shtrenjtë, ndërsa thonë se po i rrisin pensionet, turp është ta thuash atë. Çfarë të blej me 120 denarë, edhe në mjek, të kërkojnë para”.

“Po, janë pak më shtrenjtë, por çfarë të bësh. Subvencionet nuk janë në rregull, ato nuk ndahen siç duhet dhe çmimet rriten. E gjitha varet nga buxheti se sa paguhen, dikush që nuk ka do të marrë më pak. ”

“Çmimet e perimeve herë bien, herë rriten. Nuk ka produkte në Maqedoni. Ka shumë pak produkte.”

Fermerët thonë se çmimet e larta janë të pritshme, pasi nuk ka mjaft rendimente të pemëve dhe perimeve këtë vit. Disa nga frutat ishin ngrirë për shkak të borës së vonshme dhe perime nuk ka për shkak të thatësirës. Sipas tyre, është e nevojshme të ndërmerren hapa urgjentë për ndryshimin e klimës, që është e pashmangshme.

“Ne shpesh apelojmë dhe u rekomandojmë institucioneve përkatëse, për të dhënë mbështetje dhe investime më të mëdha në këto masa mbrojtëse, përkatësisht rrjetat e sigurisë, folitë mbrojtëse, sistemet antifriz, që mund të ndihmojnë fermerët të përshtaten me ndryshimet klimatike. Këto masa janë shumë të shtrenjta, për të bërë që një hektar pemishte ose vreshta do t’i kushtojë fermerit 15 mijë euro.”- deklaroi Vaska Mojsovska- Federata Kombëtare e Fermerëve.

Vitin e kaluar, çmimet janë rritur vazhdimisht, veçanërisht për produktet ushqimore bazë, kjo sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave. Sipas llogaritjeve të sindikatave, shporta e konsumatorit për muajin paraprak arriti në 34,156 denarë, e cila nëse vazhdon të rritet me këtë ritëm, për të përmbushur nevojat themelore të një familje me katër anëtarë do të duhen më shumë se dy paga minimale. Parashikimet e ekspertëve botërorë, janë që çmimet të fillojnë të bien në fund të vitit.

Andrea Çobanova

Comments