“Rugova, kryekomandant i UÇK-së”: Maloku pyetet për deklaratën e tij, më 1999, dëshmon në Hagë

Naim Maloku është pyetur për një intervistë të tij në gazetën “Kombi”, më 1999, kur deklaronte se e njihte “Ibrahim Rugovën si kryekomandat të UÇK-së”.
Ushtaraku dhe ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë marrjes në pyetje në rastin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Maloku ka thënë se ai besonte se Ibrahim Rugova ishte udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës.
“Po, jam pyetur nga gazetari dhe normalisht se jam përgjigj ashtu. Rugova ishte president i zgjedhur me votë dhe njihej qysh prej viteve 90-të si lider i shqiptarëve të Kosovës”, tha ai.

“Unë gjithmonë i kam pasur këto deklarime. Ju kam thanë se në intervistat e mia ju kam përmbajt konventave ndërkombëtare për propagandën në luftë të cilat ndalojnë thirrjen për dhunë në civil, që ndalojnë thirrjen për dhunë për njerëzit me bindje të ndryshme politike, që ndalojnë thirrjen për dhunë ndaj objekteve fetare – çfarëdo feje qoftë – dhe unë tërë kohën në intervistat e mia, ju kam përmbajt këtij kodi dhe unë askund nuk i kam thyer këto rregulla”, tha Maloku.
Maloku, siç shihet në dokumentin e prezantuar nga ZPS-ja, në një intervistë për hetuesit e Speciales më 2019 deklaronte se edhe pse ishte pjesë e UÇK-së ai kishte dallim me të tjerët lidhur me Rugovën.
“Në një intervistë më 5 korrik 1998, ishte publikuar nga një revistë Kombi, një gazetë, unë deklarova se presidenti i atëhershëm RUGOVA, që unë e njihja atë si kryekomandantin e UÇK-së. Dhe të tjerët kishin mendime ndryshe, që RUGOVA si presidenti i njohur në atë kohë i shqitparëve dhe Kosovës nuk ishte. Por ky ishte ndryshimi i vetëm në mendimet tona”, citohet të ketë thënë Maloku në këtë intervistë për ZPS-në, më 2019.
Tutje, Maloku ka folur edhe për dorëzimin e armës nga ana e tij në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së në qershor të vitit 1999.