Salah vazhdon bashkëpunimin me Liverpoolin, nënshkruan kontratë të re

Superylli i futbollit, Mohamed Salah, ka firmosur kontratë të re dyvjeçare me Liverpoolin. Klubi i madh anglez e bëri të ditur vazhdimin e bashkëpunimit me sulmuesin nga Egjipti të premten në mëngjes.
32-vjeçari kishte kontratë vetëm deri në fund të këtij edicioni, ndërsa ka pasur diskutime të shumta për vazhdim të kontratës. Në fakt nuk ishte e sigurt që Liverpooli do t’i ofronte kontratë të re Salahut, që po kalon formë shumë të mirë këtë edicion. Ai i ka 243 gola e 109 asistime në 393 paraqitje për Liverpoolin.
“Natyrisht se jam shumë i entuziazmuar, kemi ekip shumë të mirë tani”, ka thënë Salah.

“Edhe më parë kishim ekip shumë të mirë. Por kam firmosur pasi mendoj se kemi shansin të fitojmë të tjerë trofe dhe se mund ta shijoj futbollin. Kam luajtur tetë vjet këtu dhe shpresoj të bëhen dhjetë. E shijoj jetën këtu, e shijoj futbollin. Kam kaluar vitet më të mira të karrierës këtu”.
Salah ka 32 gola në të gjitha garat këtë edicion. 27 i ka në Premier League, ndërsa Liverpooli po i afrohet titullit të kampionit. Liverpooli i ka 11 pikë më shumë se Arsenali i vendit të dytë, ndërsa kanë mbetur edhe shtatë xhiro.
Salah ishte transferuar te Liverpooli nga Roma në vitin 2017. Ka fituar Ligën e Kampionëve, Premier Leaguen, Kupën FA, Kupën e Ligës dhe Botërorin e klubeve me “të kuqtë”.
Ai ishte njëri prej tre lojtarëve të rëndësishëm të Liverpoolit, kontrata e të cilëve përfundonte këtë verë. Trent Alexander Arnold pritet të transferohet te Real Madridi, ndërsa Virgil van Dijk ka thënë se ka avancim në bisedimet për vazhdim të kontratës.