Sela: VLEN-i është në shërbim të VMRO-së dhe huliganëve të 27 prillit
Paralajmërimet për amnistinë e mundshme të të akuzuarve në lëndën “Organizatorët e 27 prillit” kanë shkaktuar reagime në opinion. Ziadin Sela nga Fronti Evropian thotë se kjo nuk është drejtësi dhe akuzon koalicionin VLEN se është vendosur në shërbim të VMRO-DPMNE-së dhe siç tha huliganëve të 27 prillit.
“Paralajmërimet për amnisti të 27 prillit, megjithëse për hir të së vërtetës nuk e di a ka ngel ndonjë që vuan burg, sepse të gjithë janë lënë të lirë. Nëse i shihni ata huliganë të 27 prillit të cilët ishin këtu asokohe, do të shihni që ata kanë edhe fotografi të përbashkëta edhe të VLEN-it dhe komunikojnë vazhdimisht dhe ky është turp dhe faqja e zezë e këtyre njerëzve, të cilët nga dëshira për pushtet nuk shohin gjë dhe vlerë mbi të cilën nuk janë të gatshëm që të shkelin. Thjesht janë vendos në shërbim të VMRO-së ashtu siç janë vendos në shërbim të huliganëve të 27 prillit”, tha Ziadin Sela, Fronti Evropian.
Krerët e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, Hristijan Mickoski dhe Venko Filipçe nuk deshën të komentojnë amnistinë e mundshme të Mile Janakieskit, Spiro Ristovskit dhe Trajko Veljanovskit, të akuzuar në lëndën“Organizatorët e 27 prillit”. Ata thanë këto vendime i takojnë gjyqësorit dhe politika nuk duhet të përzihet.
“Ky është vendim gjyqësor, unë nuk kam çfarë të shtoj, çfarë të komentoj, e mbani mend edhe gjatë debatit edhe gjatë kontrollit kishte deklarata kundërthënëse nga ana e shumicës së pjesëmarrësve në këtë proces” , u shpreh Hristijan Mickoski, Kryeministër.
“Sa më pak t’i komentojmë ne politikanët ato vendime, aq më shumë do të rritet besimi në gjyqësor, sepse ata duhet të punojnë pa presion politik. Por për fat të keq, ne tani në këtë moment kemi diçka tjetër, shohim tentime për partizim total të gjyqësorit”, deklaroi Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.
Tema u riaktualizua një ditë më parë, kur Prokuroria dorëzoi mendim në Gjykatë Penale se Ligji i Amnistisë duhet të vlejë edhe për rastin “Organizatorët e 27 prillit”. /Alsat.mk