SHBA-ja sanksionon zyrtarisht Industrinë Serbe të Naftës
Departamenti Amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS).
Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) e Departamentit të Thesarit të SHBA-së ka publikuar një listë të përditësuar të individëve dhe kompanive të sanksionuara, ku përfshihet edhe Industria e Naftës e Serbisë, e cila menaxhohet nga kompania ruse, Gazprom.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të OFAC, është deklaruar se do të vendosen sanksione sekondare për kompanitë që kanë lidhje me kompanitë ruse. SHBA-ja ka vendosur disa nga sanksionet më të ashpra deri më tani ndaj industrisë ruse të naftës, përfshirë 180 anije, dhjetëra tregtarë, dy kompani të mëdha të naftës dhe disa drejtues të sektorit rus të naftës. Këto masa janë ndërmarrë për shkak të luftës në Ukrainë, shkruan nova.rs.
Dokumenti përmend Seksionin 11 të Urdhërit Ekzekutiv 14024, i cili lejon vendosjen e sanksioneve ndaj institucioneve financiare të huaja që marrin pjesë në transaksione të caktuara të lidhura me bazën ushtarako-industriale të Rusisë. Kjo përfshin të gjitha personat që kanë pasuri ose interesa të bllokuara sipas këtij urdhri ekzekutiv.
Më konkretisht, Seksioni 11 i Urdhrit Ekzekutiv 14024 parashikon sanksione për institucionet financiare të huaja që:
Kanë kryer ose lehtësuar një transaksion të rëndësishëm për ose në emër të një personi të sanksionuar për veprimtarinë në sektorët teknologjikë, mbrojtës, ndërtimorë, aviacionit ose prodhimit të ekonomisë ruse, ose në sektorë të tjerë që mbështesin bazën ushtarako-industriale të Rusisë.
Kanë kryer ose lehtësuar një transaksion të rëndësishëm ose kanë ofruar shërbime që përfshijnë bazën ushtarako-industriale të Rusisë, përfshirë furnizimin ose transferimin e mallrave të caktuara në Federatën Ruse.
Sanksionet sekondare kanë për qëllim të parandalojnë palët e treta nga tregtimi me vendet që janë subjekt i sanksioneve të vendosura nga një shtet tjetër, edhe nëse palët e treta nuk janë shtetas të atij shteti ose nuk kanë selinë në të.
Më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte paralajmëruar se SHBA-ja do të vendoste sanksione ndaj NIS-it.
Në të njëjtën kohë, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Richard Verma, pritet të vizitojë Beogradin këtë fundjavë për të nisur dialogun strategjik midis Serbisë dhe SHBA-së, që do të përfshijë disa fusha kyçe, përfshirë energjinë.