Shkarkohet Shemsi Haziri, shefi i ekipit që udhëhiqte hetimet ndaj Martin Berishajt e Nagip Krasniqit

190

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës ka shkarkuar nga detyra Shemsi Hazirin, shefin e Njësisë së Veçantë të Hetimeve, (ish Task Forcës kundër Korrupsion) brenda Policisë së Kosovës, ekipi që udhëhiqte hetimet ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.

Shkarkimi i Hazirit është bërë këtë të premte, derisa nuk është dhënë asnjë arsye nga Policia e Kosovës për shkarkimin e tij.

Albanian Post ka kuptuar se shkarkimi i Hazirit lidhet pikërisht me hetimet e tij ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Albanian Post gjithashtu merr vesh se arrestimi kishte ardhur nga niveli politik i udhëheqjes së Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Albanian Post ka komunikuar me zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Baki Kelani, por ai ka refuzuar të jap përgjigje përkundër se ka hapur telefonin.

“Nuk jam në punë me të thënë të drejtën tash”, deklaroi Kelani, duke sugjeruar “shkruaj email çfarë do që ka, edhe tani ata e përcjellin tek ai që është kujdestar për sot, nëse mund të merr ndonjë informatë nuk të kthen mbrapa”.

Insistimi nga Albanian Post për një përgjigje në një pyetje fare të thjesht, “përse është shkarkuar Shemsi Haziri?”, e ka irrituar Kelanin.

“S’jam në detyrë unë o vlla”, deklaroi.

Aktualisht ish-shefi i KEK-ut Krasniqi gjendet në paraburgim, derisa arrestimin e tij e pati kritikuar ashpër Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri Kurti, gjatë fjalimit të tij në seancën plenare, një ditë pas arrestimit të kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqit, nga Policia e Kosovës nën dyshimin për keqpërdorime në disa tenderë, një prej tyre 3.4 milionë euro, me 20 prill, kishte sulmuar Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili kishte dhënë dritën e gjelbër për nisjen e hetimeve në rastin e kryeshefit Krasniqi.

“Natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka deponuar me dhjetëra fakte e dëshmi materiale për keqpërdorimet që i ka gjetur aty, mirëpo zelli i Prokurorisë për t’u marrë me deponimet e fakteve e dëshmimeve për keqpërdorimet e mëhershme ka qenë zero, ndërsa zelli për t’u marrë me kryeshefin Krasniqi i cili në vitin 2022, bashkë me ekipin e vetë ja solli 107 milionë euro fitim, ishte maksimal”, thoshte Kurti në mbrojtje e sipër të Krasniqit.

Kurti më tej gjatë fjalimit të tij kishte sulmuar drejtpërdrejtë edhe prokurorin i cili u mor me rastin e kryeshefit të KEK-ut, Blerim Isufajn duke thënë se ky i fundit nuk e kishte të fituar në Gjykatë asnjë rast dhe i njëjti po dëshironte të bëhet kryeprokuror i shtetit përkundër vullnetit të presidentes, kryeparlamentarit dhe kryeministrit.

“Është siklet i madh dhe është mbështetje e madhe për një njeri i cili përkundër tre krerëve shtetëror përkundër përvojës së hidhur që ka i gjithë vendi me të dëshiron të bëhet kryeprokurorë”.

Drejtësia dhe sistemi gjyqësor në Kosovë, sipas Kurtit, po lëngonte pikërisht për shkak se ekziston një prokurori e cila nganjëherë, nuk dëshiron, nganjëherë nuk di e shpeshherë edhe të dyja.

“Është e vërtet që unë e kam kritikuar publikisht prokurorinë e shtetit, sidomos atë speciale, që për rastet e krimeve të luftës ka qenë përgjithësisht pasive”.

Ndërsa, për aferat korruptive të Nagip Krasniqit, Albanian Post kishte publikuar disa dokumente të cilat implikonin ish-shefin e KEK-ut, përcjellë Dukagjini.com.

Comments