Shkatërrimi i “mbretërisë” që trafikut të armëve në Kosovë e Shqipëri, zbulohen emrat e shqiptarëve të arrestuar

67

Një operacion i përbashkët mes autoriteteve të drejtësisë së Shqipërisë dhe Kosovës ka bërë të mundur shkatërrimin e një grupi kriminal që trafikonte armë, ndërsa janë lëshuar 14 urdhërarreste.

Ndërkohë, gazetarja Anila Hoxha mëson se në pranga kanë rënë 6 shtetas nga Shqipëria, të identifikuar si: Euxhenio Manushi 20-vjeç, Endri Papa 34-vjeç, Aurel Manreka 28 vjeç, Gersi Llozha 22 vjeç, Kleu Mucalliu 26-vjeç; dhe Tonin Shkami 53-vjeç

Vetëm këtyre u janë gjetur 22 armë zjarri ‘Zoraki’, një armë zjarri AK 47, një granatë dore dhe 470 fishekë të llojeve të ndryshme. Gjithashtu u janë kapur edhe 3 automjete dhe shuma të konsiderueshme parash e 10 aparate celulare. Ndërkohë me datë 10 në Kosovë u arrestuan 8 prej grupit kriminal, të cilëve u janë kapur 29 pistoleta dhe 3 armë të gjata të modeleve të ndryshme, 2635 fishekë/municion të modelit të ndryshëm, 2 automjete dhe pajisje tjera.

Njoftimi i plotë i prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe me ndihmën e EUROPOL shkatërruan pas mbi nëntë muaj hetime, një grup kriminal të trafikut të armëve, aktiv në të dy shtetet.

Hetimet datojnë në muajin shkurt të këtij viti, ku pas informacioneve të grumbulluara ne rrugë operative nga ana e Seksionit Për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për dyshimin se shtetesi V.O. në bashkëpunim me persona të tjera, shtetas Shqiptarë dhe Kosovarë, kryejnë aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në drejtim të Shqipërisë si dhe trafikimin e lëndëve narkotike kryesisht kokainë nga Shqipëria në Kosovë, u regjistrua procedimi penal nr.1167 për veprën penale ‘Trafikimi i armëve dhe i municionit’ kryer në bashkëpunim dhe ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit’ parashikuar nga nenet 278 dhe 278/a/2 të Kodit Penal.

Nga hetimet e deritanishme, rezulton se të dyshuarit ishin përgjegjës për furnizimin, transportin dhe shitjen e armëve ose materialeve shpërthyese, duke krijuar një rrugë të ndërlikuar importi dhe eksporti.

Duke qenë se ky grup përbëhej nga shtetas nga Kosova dhe Shqipëria, institucionet e dy shteteve nënshkruan në qershor të këtij viti ‘Marrëveshjen për Themelimin e Ekipit të Përbashkët Hetimor’, mbështetur nga EUROPOL dhe nga Projekti i EUROJUST për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe midis rajonit dhe BE-së në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Nëpërmjet këtij ekipi, autoritetet shqiptare dhe kosovare mundën të bashkëpunonin shpejt dhe lehtë, duke shkëmbyer informacione në kohë reale.

Në vijim të hetimeve, më datë 10.12.2024 rreth orës 21:00 dhe në vijim Policia e Kosovës në funksion të procedimit të përbashkët ka zhvilluar operacione policore ku ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar: 29 pistoleta dhe 3 armë të gjata të modeleve të ndryshme, 2635 fishekë/municion të modelit të ndryshëm, 2 automjete dhe pajisje tjera TIK. Ndërkohë që gjatë këtyre operacioneve u ndaluan/arrestuan 8 persona. Konkretisht shtetasit V.O., K.K., S.H., Sh.J., A.H., Z.A., A.D., dhe B.A.

Në koordimin me Policinë e Kosovës menjeherë rreth orës 03.00 e në vijim të datës 11.12.2024 nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në funksion të këtij procedimi u zhvillua operacioni për ekzekutimin e urdhrave të ndalimit për 6 persona dhe kontrolli i banesave për 7 vende. Gjatë këtij operacioni u ndaluan për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit” e kryer në bashkëpunim dhe “Trafikimi i armëve dhe municionit” e kryer në bashkëpunim të parashikuar nga neni 278/5/ dhe 278/a/2 i K.Penal të 6 personave:

E.M 20-vjeç

E.P. 34-vjeç

A.M. 28 vjeç

Ll 22 vjeç
K.M. 26-vjeç; dhe

T.Sh., 53-vjeç

Gjatë këtij operacioni u sekuestruan 22 armë zjarri ‘Zoraki’, një armë zjarri Ak 47, një granatë dore ofensive dhe 470 fishekë të llojeve të ndryshme. Gjithashtu u sekuestruan edhe 3 automjete dhe shuma të konsiderueshme parash e 10 aparate celulare.

Comments