Shqipëria, partnerja kryesore e Kosovës për import e eksport nga vendet e CEFTA-s

46

Sipas të dhënave të Doganës, Kosova ka importuar nga Shqipëria mbi 200 milionë euro mallra gjatë këtij viti. Por produktet kosovare janë gati përgjysmë më pak të pranishme në tregun e Shqipërisë. Nga muaji janar deri në tetor të këtij viti Kosova ka eksportuar në Shqipëri 105 milionë euro mallra
Shqipëria është partnerja kryesore e Kosovës për importin dhe eksportin e mallrave nga vendet e CEFTA-s, duke i lënë prapa Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Sipas të dhënave të Doganës, Kosova ka importuar nga Shqipëria mbi 200 milionë euro mallra gjatë këtij viti.

Por produktet kosovare janë gati përgjysmë më pak të pranishme në tregun e Shqipërisë.

Nga muaji janar deri në tetor të këtij viti Kosova ka eksportuar në Shqipëri 105 milionë euro mallra.

Emanuel Bajra, njohës i tregjeve financiare, është shprehur se mes dy vendeve ka rritje të bashkëpunimit në të gjitha fushat.

“Fundi i vitit 2023, viti 2024 ka qenë rekord në frekuencën e shkëmbimeve tregtare në mes të dy vendeve ka një prezencë të madhe të investitorëve kosovarë në Shqipëri sidomos në fushën e turizmit, energjisë, patundshmërive, që është e pritshme, për shkak se Shqipëria është vend turistik”, ka theksuar ai.

Por Bajra ka thënë se duhet të gjenden strategji midis dy shteteve ashtu që raporti tregtar të jetë më nxitës dhe më i barabartë.

“Duhet t’i identifikojmë këto dy spika ekuilibruese në mënyrë që ta bëjmë shkëmbimin dhe konsolidimin ekonomik ndërshqiptar më dinamik, më të favorshëm për të dy entitetet. Të mos e zbrazim Kosovën dhe të mos e dëmtojmë ekonominë e Kosovës, për shkak se fokusi do të jetë gjithsesi në Shqipëri, por në anën tjetër, të mos e lëmë Shqipërinë të shndërrohet në një terren sezonaliteti ekonomik. Shqetësimet e mia janë domethënë më tepër në këtë barazi të shkëmbimeve tregtare”, ka thënë Bajra.

Deri vonë, nga vendet e CEFTA-s Serbia ka qenë shteti prej ku Kosova ka importuar më së shumti.

Por nga qershori i vitit të shkuar e deri në tetorin e sivjetmë, Kosova ka zbatuar masë sigurie ndaj mallrave serbe, me përjashtim të lëndës së parë dhe gjysmëprodukteve të nevojshme për prodhim final.

Sipas të dhënave të Doganës, këtë vit Kosova ka importuar nga Serbia 77 milionë euro mallra, ndërsa ka eksportuar 36 milionë.

Fidan Qerimi, profesor i ekonomisë, ka numëruar disa nga arsyet përse vitin e fundit orientimi ekonomik i Kosovës ka qenë i kthyer më shumë nga Shqipëria.

“Kanë qenë diku rreth 10 për qind efekt politikat e reja tregtare mes Serbisë. Faktori kryesor ka qenë rritja e sasisë së mallrave të tregtuara mes Kosovës dhe Shqipërisë. Një pjesë rreth 25 deri 30 për qind të këtij ndryshimi në vlerë është inflacioni, që do të thotë që kemi pasur rritje të çmimeve. Po ashtu, ndikim ka pasur edhe përmirësimi i infrastrukturës tregtare, dhe këto janë arsyet pse ka pasur një ndryshim të volumit të shkëmbimit tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë”, ka theksuar ai.

Maqedonia e Veriut është vendi i dytë në rajon, si për eksport ashtu edhe për import të mallrave.

Nga ky shtet, Kosova ka importuar mall në vlerë prej 180 milionë eurosh, ndërsa ka eksportuar 75 milionë më pak.

Comments