Si në filma horror – Konvikti studentor “Pellagonia” nuk ofron as kushte elementare

63

Duhet të jetë një strehë e përshtatshme për mijëra studentë.

Por konvikti studentor “Pellagonia” është shndërruar në një arenë betejash të përditshme me problemet infrastrukturore që duket se nuk kanë fund.

Alsat vizitoi hapësirat e këtij konvikti dhe situata brenda ishte e mjerueshme

Mungesë e ujit të ngrohtë, probleme me sistemin e ngrohjes, probleme me energjinë elektrike, probleme me ashensorët, kushte të këqija nëpër dhoma, gjendje e rëndë në kuzhinë, erë e keqe nga kanalizimi dhe lagështia e myku.

Ky institucion është larg standardeve që çdo student i meriton dhe duket se paraqet një sfidë ushtruesen e re të detyrës, Adriana Daci, për ta kthyer në binarë. Ajo e ka gjetur këtë institucion me një borxh total prej 34 milion denarësh si dhe me llogari të bllokuara.

“Në kuzhinë gjendja është shumë e rëndë, pajisjet elektrike, frigoriferët janë në defekt të vazhdueshëm…Edhe plus, për shkak se jemi në borxh faktikisht, fatura të papaguara, edhe nuk janë në gjendje të sjellin ushqime, vaktet e studentëve të jenë të bollshme…Kemi pas problem me ujin e nxehtë, e kemi riparu pompën e hidroforit, tani studentët kanë ujë të nxehtë…Momentalisht nuk janë kushtet shumë të mira, kemi dhoma me 4 shtretër, aty secila dhomë ka tualetin e vetë, momentalisht ujë të nxehtë ka, por rrjedhin gypat prej lartë poshtë, punonjësit mundohen të sanojnë defektet, por disa defekte nuk munden aq lehtë të sanohen”, tha Adriana Daci, Ushtruese e detyrës Drejtoreshë.

Daci tha se aktualisht çdo përpjekje për ta rregulluar situatën, është peng i llogarive të bllokuara, por nënvizoi se bashkë me stafin do të bëjnë përpjekjet maksimale për përmirësimin e gjendjes. Këtë gjë e presin edhe studentët që banojnë në konvikt.

“Përballë sfidave që ballafaqohemi si mungesa e ujit të ngrohtë, sistemet e ngrohjes, problemet elektrike, veçanërisht problemet me ashensorët, kushtet nëpër dhoma si dhe problemet me çështjen e ushqimit. Ne jemi në koordinim të vazhdueshëm me drejtoreshën e sapo emëruar Adriana Daci, ku kanë filluar përmirësimet graduale të këtyre çështjeve…Ftoj institucionet dhe shoqërinë civile të mbështesin këto përpjekje në përmirësimin e kushteve të jetesës për studentët”, theksoi Venhar Ademi, Nënkryetar i Këshillit Studentor në konvikt.
Me probleme ballafaqohen edhe punonjësit e këtij institucioni, të cilët akoma nuk e kanë marrë pagën e muajit tetor.

Daci, thotë se nëse deri në fund të këtij muaji nuk kalojnë pagat, pritet ndërprerja e sigurimit shëndetësor, gjë që paraqet problem sidomos për disa nga të punësuarit që janë të diagnostikuar me sëmundje kronike.

Ajo zotohet se do të bëjë përpjekje për zhbllokim të llogarisë dhe më pas sigurimin e kushteve më të mira për 1000 studentët që banojnë në këtë konvikt. / Alsat.mk

 

Comments