Sistemimi i administratorëve shqiptarë, problem i ndërlikuar

399

Sistemimi i rreth 1600 administratorëve shqiptarë, të punësuar në bazë të Marrëveshjes së Ohrit dhe për rritjen e përqindjes së përfaqësimit të shqiptarëve në organet shtetërore, paraqet problem edhe për përbërjen e re qeveritare. Sistemimi i tyre deri më tani ka ngecur për shkak të neglizhencës së institucioneve, apo refuzimit të disa prej tyre për të pranuar punonjës të rinj për shkak të stërngarkimit të tyre, por edhe për arsye tjera e që shpesh thuhet se mund të jenë të natyrave etnike. Damjan Mançevski, ministër i Shoqërisë informatike dhe Administratës Publike, thotë se bëhet fjalë për një problem jo pak të ndërlikuar që kërkon një analizë më të thellë, duke dhënë sërish premtime për zgjidhjen e shpejtë të çështjes. “Sa më shpejt që të jetë e mundur do të bëhet sistematizimi i tyre. Po bëjmë gjithçka të mundur që këtyre personave t’u gjejmë angazhim adekuat. Kjo do të realizohet në bazë të analizave përkatëse”, ka deklaruar ministri Mançevski për REL. Hezitimi për sistemimin e kësaj kategorie në vende pune ka qenë në vazhdimësi objekt i reagimeve e përplasjeve të ndryshme politike. Varësisht se cila parti shqiptare ka qenë në pushtet, ka shpallur konkurse për pranim të punonjësve të administratës, por pa u angazhuar për sistemimin e të tjerëve që tashmë ishin pranuar.

Comments