Snopçe: Festat e Nëntorit i shënuam në mënyrë dinjitoze

55

Deputeti i koalicionit VLEN nga radhët e ASH-së, Halil Snopçe, në një lidhje direkte për ATV Kosovë foli për rëndësinë e 28 Nëntorit, ku sipas Snopçes kjo festë nuk simbolizon vetëm shqiptarët e Shqipërisë, por të gjithë pa dallim.

“28 Nëntori nuk është festë që simbolizon vetëm shqiptarët e Shqipërisë, por kjo ka një simbolikë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët pa dallim pra akti i ngritjes së flamurit shqiptar. Një simbolikë e veçantë, e lirisë, demokracisë, kulturës shqiptare, që simbolizon qenien shqiptare”, tha Snopçe.

Ai mes tjerash vazhdoi tutje me përkufizimin e kësaj date si festë madhështore gjithkund ku flitej shqip, si festë që simbolizon lirinë.

Deputeti i VLEN-it foli për rëndësinë e 28 Nëntorit dhe për mënyrën si u festua në Maqedoninë e Veriut. Sipas Snopçes, festat e Nëntorit në Maqedoninë e Veriut kanë filluar nga 22 Nëntori dhe si të tilla kanë vazhduar deri në shënimin e ditës së Pavarësisë së shtetit shqiptar.

“Për neve në Maqedoninë e Veriut festat e Nëntorit kanë filluar nga 22 Nëntori, ku ishim në Manastir për të shënuar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, pra nga atëherë kemi nisur të kremtojmë. Për të vazhduar gjithë ditët e radhës deri më 28 Nëntor”, tha Snopçe.

Halil Snopçe gjithashtu ka shtuar se festa e djeshme ka qenë madhështore sepse i përkitet secilit prej nesh.

“Në gjitha qytetet e Maqedonisë së Veriut mbizotëroi koreografia shqiptare, pra edhe pse nuk akoma nuk është festë zyrtare nuk ka pasur institucion që udhëhiqen nga shqiptarët duke filluar nga shkollat e tutje që nuk kanë festuar 28 Nëntorin. Me plisa në kokë, me shqiponjën dy krenare, me veshje të ndryshme, me shfaqje të ndryshme kulturore artistike nëpër shkolla, çerdhe e sheshe gjithkund është festuar kjo festë madhështore”, tha Snopçe.

Ai mes tjerash tha se ka pasur organizime të jashtëzakonshme si ngjarje kulturore në Tetovë, Gostivar, Çair, Manastir të financuar nga Qeveria e kudo tjetër.

Comments