“S’po bërtas, dorën e kam çuar”, fërkime të përfaqësuesve të VV-së me kreun e ri të KQZ-së

330

Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është duke u diskutuar për zgjatjen e orarit të punës për zyrtarët e Sekretariatit të KQZ-së, shkruan Gazeta Express.

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, në KQZ, Sami Kurteshi tha se nuk janë të mendimit se ky orar duhet të zgjatet. Ai tha se në rast se dikush punon më shumë sesa e ka orarin, të raportojë për punën që ka bërë dhe me urdhër të kujt ka punuar.
“Nuk jam që orari i zyrtarëve të KQZ-së të zgjatet. Kjo pasi këto nuk janë zgjedhje të jashtëzakonshme por të zakonshme. Nëse paraqitet nevoja atëherë punojnë. Unë jam kundër për zgjatjes paushall të orarit, por jam për saktësim të çdo pune që kryhet jashtë orarit dhe të saktësohet se me urdhër të kujt është kryer ajo punë jashtë orarit”

I të njëjtit mendim ka qenë edhe përfaqësuesi tjetër i VV-së në KQZ, Alim Rama.

“Ne kemi buxhetuar orarin shtesë të mundshëm. Është i paraparë në buxhet. Vetëm dje thirrja për certifikim e kemi parashtruar orarin 08:00-16:00. Prandaj nuk kemi nevojë për orar shtesë”, ka thënë Rama.

Ndërkohë, anëtari i LDK-së në KQZ, Florian Dushi, tha se kërkesa e Sekretariatit për zgjatjen e orarit duhet të miratohet.

“Vëllimi i punëve është jashtëzakonisht i madh dhe e dimë nga e kaluara që zyrtarët e Sekretariatit angazhohen edhe jashtë orarit të punës dhe ditëve të pushimit. Është mirë që ta dëgjojmë edhe arsyetimin e tyre sepse më pas mund të kemi probleme të natyrave të tjera. Nuk mendoj se duhet që t’i kufizojmë ata pa e dëgjuar arsyetimin e tyre. Kjo kërkesë e tyre duhet miratuar”, ka thënë Dushi

Pas këtyre diskutimeve, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se diskutimi për këtë çështje duhet të përfundoj.

“Po e përfundojmë këtë diskutim lidhur me këtë çështje”, tha ai.

Por, Kurteshi reagoi duke iu kundërpërgjigjur Dushit të LDK-së, duke thënë se nëse dëshirohet të diskutohet për populizëm atëherë të caktohet edhe një pikë e rendit të ditës.

“Z. Kryesues, nëse vazhdojmë këtu me fol për popullzmin atëherë po e ngrisim një rend të ditës e me fol për populizmin e jo për sene konkrete”, tha Kurteshi.

E Radoniqi reagoi duke thënë se në këtë mbledhje është folur vetëm për gjëra konkrete.

“Z.Kurteshi ne deri më tani ishim duke folur për çështje konkrete”, tha kryetari i KQZ-së.

Fjalën e mori edhe përfaqësuesi tjetër i VV-së në KQZ, Alim Rama. Ai tha se e kanë kundërshtuar vetëm formën se si do të zgjatet orari i punës.

“Fjalën ja ke dhënë ati atje, ja ke dhënë z.Dushit, edhe unë po flas. Nuk po bërtas dorën e kam çuar. Na jemi në këtë proces zgjedhor që një kohë të gjatë. Ne e kundërshtuam formën se si zgjatet kjo. Sekretariati ka me angazhu stad shtesë. Ne kërkojmë që vetëm të ketë një formë se si do të zbatohet”, ka thënë ai. /

Comments