S’shkoi për të dhënë dëshmi, Kurti nga Gjilani godet Prokurorinë: Po e keqpërdorin lirinë për ta luftuar Qeverinë

59
fresco

Kryeministri Albin Kurti nga Gjilani është pyetur se pse nuk ka zbatuar urdhrin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale.

Pasi përsëriti ato që ka shkruar në letrën drejtuar Gjykatës, Kurti akuzoi Prokurorinë se më shumë është e interesuar “të mbushë ballinat e ndonjë portali të oligarkut sesa të sjellë drejtësi”.

“Shtrohet pyetja pse i humb prokuroria tre muaj. Për shkak se është më shumë i interesuar të mbushë ballinat e ndonjë portali të oligarkut sesa të sjellë drejtësi. Kurrë prokuroria e shtetit nuk ka qenë më e lirë për të vepruar. Fatkeqësisht lirinë po e përdorë, po e keqpërdorë për ta luftuar qeverinë dhe jo krimin e korrupsionit”.

Kurti më pas lavdëroi qeverinë e tij në luftimin e korrupsionit, duke thënë se mbështetja që ka marrë në zgjedhje është “dëshmi” për këtë.

midle

“Nuk ka qeveri – edhe sipas organizatave prestigjioze ndërkombëtare – që e ka luftuar korrupsionin dhe krimin si qeveria jonë në këto katër vjet. Dhe po ashtu këtë e dëshmojnë edhe qytetarët e Republikës me mbështetjen masive që na e kanë dhënë në këto zgjedhjet e 9 shkurtit”.

Kurti më pas tha se dëshiron të theksojë që “luftimi i krimit dhe korrupsionit është tejet i rëndësishëm, por vetëm vëreni me kujdes se çfarë rastesh prioritizohen. Ka vite të tëra që denoncimet tona nuk trajtohen. Kur kemi marrë detyrën në mars 2021 deri në gushtin e vitit 2022 ministrat e qeverisë që e udhëheq unë i kanë dorëzuar 247 kërkesa për hetime ose kallëzime penale. Asnjëra prej tyre nuk ka prodhuar hetim me aktakuzë. Pra, çka prioterizon Prokuroria flet për Prokurorinë e jo për krimin e korrupsionit sepse ai është dashur të luftohet”.

Kurti këmbënguli përsëri se është i gatshëm për dëshmi, por duke i pritur prokurorët në zyrën e tij.

“Së pari asnjëherë nuk kam thënë që nuk do të jap dëshmi ose nëse e refuzoj, kam thënë që jam jo vetëm i gatshëm, por edhe i interesuar që të dëshmoj. Unë i mirëpres prokurorinë e shteti në Zyrën e Kryeministrit. Jo vetëm si dëshmitar apo edhe të pandehur. Qysh në dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim dhe të jepet dëshmia nga ana ime. Nëse prokuroria e ka pasë shumë të rëndësishme dëshminë time ai do të vinte tek ne”./Express/

Comments