Sulmi në Mannheim, policia gjermane arreston shoferin e automjetit që përplasi njerëzit

Pas sulmit me automjet në Mannheim të hënën (03.03.) me një të vdekur dhe disa të plagosur, policia ka arrestuar shoferin e dyshuar. Në orët e mesditës u zhvillua një operacion i madh në Mannheim. Gjatë festimit të karnavaleve në qendër të qytetit gjerman një person hyri me automjet duke u përplasur me shumë njerëz. Dëshmitarët okularë bënë fjalë për një person të vdekur të mbuluar, dhe disa të plagosur.
Pak më vonë u konfirmua zyrtarisht edhe nga policia, se një person ka humbur jetën. Policia menjëherë filloi një aksion në shkallë të gjërë për të kapur sulmuesin. Ende nuk ka të dhëna mbi sulmuesin e dyshuar.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në sheshin qendror ku po mbahej parada e karnavaleve të së hënës, eveniment shumë i vizituar në shumë qytete të Gjermanisë. Policia po heton ngjarjen dhe ka kërkuar prej njerëzve që të shmangin qendrën e qytetit.

Mannheim ndodhet në veri të landit Baden-Württemberg në kufirin me Hessen dhe Rheinland-Pfalz. Qyteti ka rreth 320.000 banorë dhe është qyteti i dytë më i madh në Baden-Württemberg.
Një seri sulmesh në Gjermani brenda disa muajsh
Sulmi i së hënës (03.03.) të kujton një seri sulmesh në Gjermani të kryera në javët dhe muajt e fundit. Më 13 shkurt, një burrë iu sul me një automjet një demonstrate në Mynih. Në sulmin në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg në dhjetor, gjashtë persona u vranë dhe rreth 300 u plagosën, shumë prej tyre në gjendje të rëndë.
Sulmues ishte një mjek nga Arabia Saudite, që jetonte në Saksoni-Anhalt, e kishte ardhur në Gjermani nga viti 2006.
Ai drejtoi një makinë në tregun e Krishtlindjeve në qytetin e vjetër të Magdeburgut./ DW