Sytë kah Haga, sot seanca ndaj Mladiqit
Mladiq, para katër vjetësh, qe dënuar me burgim të përjetshëm, pasi u shpall fajtor për 10 nga 11 pikat e aktakuzës. Por, si mbrojtja ashtu edhe prokuroria u ankuan, duke çuar lëndën në shkallën e dytë.
Mladiq u dënua për gjenocid në Srebrenicë, ku u vranë mbi 8.000 myslimanë për një ditë, më 1995. Po ashtu u dënua për krime kundër njerëzimit në 15 komuna në Bosnjë, për rrethim e terrorizim të Sarajevës gjatë periudhës 1992-1995 si dhe për mbajtjen peng të trupave paqeruajtëse të UN-it gjatë bombardimeve të NATO-s, porse Këshilli gjyqësor i kishte përjashtuar akuzat për përgjegjësinë e tij në gjenocidin e kryer në pesë komuna tjera të Bosnjës më 1992, përfshirë Prijedorin. Prokuroria ka kërkuar që gjykata ta konfirmojë edhe këtë pikë të aktakuzës, të cilën po e presin edhe familjarët e të vrarëve. Ndërkaq mbrojtja e Mladiqit pret lirimin e tij nga akuza apo përsëritjen e procesit gjyqësor.
Ratko Mladiq u arrestua më 26 maj 2011 në Serbi, pas 16 vjetësh duke i ikur drejtësisë.