Tahiri: 30 maji dita e fundit për mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit

187

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka potencuar se enjtja e 30 majit do të jetë dita e fundit për mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.

Tahiri ka theksuar se komunikimi me partitë politike për shpërndarje të Kuvendit të Kosovës është intensiv.

“Mirë është të reflektojmë, t’i hapim rrugë zgjedhjeve të reja në qershor apo korrik. Tash dy javë jemi në komunikim më intensiv, dhe do vazhdojmë në vijim deri te momenti, siç e kemi thënë këtë të enjte do të jetë dita e fundit për shpërndarjen e Kuvendit, apo 30 maji”.

Sipas tij nëse deri më 30 maj nuk arrihet koordinimi për shpërndarjen e Kuvendit humbet mundësia që qytetarët t’u drejtohen kutive të votimit më 30 qershor apo 7 korrik.

“Është dita e fundit dhe nuk do t’i ndalim përpjekjet”, ka thënë ai.

Në mungesë të deputetëve Kuvendi i Kosovës, të premten, nuk ka mbajtur një seancë plenare ku do të shqyrtohej draft-rezoluta e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe do të diskutohej për tre vjetët e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Ajo është shtyrë për një datë të pacaktuar.

AAK-ja përmes rezolutës të premten synonte të kërkonte që “Qeveria ta përmbyllë mandatin e saj me dorëheqje ose me mocion për shkarkimin e saj”.

Pas dorëheqjes apo shkarkimit, sipas draft-rezolutës së AAK-së, mund të shpërndahet Kuvendi i Kosovës.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, në një prononcim për media tha se debati për punën e Qeverisë do të ndodhë dhe se kryeministri Kurti do të ballafaqohet me opozitën për të gjitha fushat, në të cilat sipas tij ka dështuar.

“Kryeministri Kurti, duke u dorëzuar ka krijuar një pozicion për të negociuar kushtet e dorëzimit me opozitën, mirëpo ne këto kushte nuk i pranojmë, ne do të presim herët a vonë kapitullimin e tij përmes dorëheqjes”, ka deklaruar Tahiri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit. /Albanianpost.com

Comments