Takimi Kurti-Vuçiq vlerësohet jo i lehtë, palët nuk pajtohen për asgjë

405

E vështirë është vlerësuar nga BE-ja përballja e parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Palët nuk janë pajtuar për asgjë në takimin e ndërmjetësuar nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, dhe emisari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak.

Pas takimit në Bruksel, kryeministri Kurti tha se në tavolinë ka paraqitur katër propozime.

Ai tha se ka kërkuar marrëveshje për tregti në Evropën Juglindore, që të nënshkruhet menjëherë një marrëveshje e paqes mes dy shteteve, që pas njohjes të ketë reciprocitet bilateral për pakicat dhe që për çështjen e të pagjeturve nga delegacioni serb të largohen njerëzit që kishin funksione në kohën e udhëheqjes së Serbisë nga Slobodan Milosheviqi.

“Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, z. Vuçiq dhe z. Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se Kosova ka nisur përgatitjet për paditjen e Serbisë për gjenocid, ndërsa ka përsëritur se nuk do të lejohet asociacioni njëetnik.

“Unë theksova se në kuadër të mandatit të zotit Borrell dhe në kuadër të mandatit të presidentit Biden do të duhej të bëhej marrëveshja, mirëpo sa më herët që bëhet aq më kollaj është”, shtoi Kurti.

Në anën tjetër, për përplasje në takim ka folur presidenti serb Vuçiq. Ai ka thënë se nuk janë përdorur fyerje, por “përgjigje të rrepta”.

“Delegacioni i Kosovës nuk dëshiron t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara, pra nuk do fare të flasin për Asociacionin, ndërsa në anën tjetër kanë kërkuar urgjentisht të dijë se kur do ta njohim Kosovën. Kemi folur për personat e zhdukur dhe nuk do të besoni, unë kam folur sipas principeve, kam folur për atë se sa është e rëndësishme të zbulojmë vendet ku gjendet trupi i çdo shqiptari dhe serbi”, u shpreh Vuçiqi.

Si jo të lehtë, por të rëndësishëm, takimin e ka vlerësuar emisari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Të dy liderët patën diskutim të hapur secili se çka do nga dialog. E rëndësishme nga BE-ja është që të dy liderët konfirmuan se s’ka rrugë tjetër pos normalizim raportesh. Të dy u zotuan për punë për arritjen e marrëveshjes së përgjithshme, nëpërmjet dialogut”, tha Lajçak.

Takimi i radhës ndërmjet Kosovës e Serbisë, në ndërmjetësim të BE-së, sipas palëve, do të zhvillohet më 25 korrik.

Comments