Tara insiston: Edhe po të vritem nuk flas pa m’u prezantuar dokumenti

Seanca ku po dëshmon Ismet Tara, i njohur si komandant “Hoxha”, është shoqëruar me tensione. Tara ka refuzuar të japë dëshmi pa u paraqitur një dokument, të cilin ai e cilëson si vendimtar për integritetin e tij.
Ismet Tara ka kërkuar që t’i shfaqet një dokument, i cili kishte shprehur shqetësimet e tij lidhur me përkthimet e dëshmisë së tij që e kishte dhënë për ZPS-në me 2019-ën.
Dëshmitari Tara kërkoi nga gjykatësit t’i paraqitet ky dokument ose përndryshe ai nuk do të flasë.
Edhe pas kësaj kërkese, Tara ka vazhduar të mos përgjigjet duke insistuar që gjykatësit të ia tregojnë dokumentin.
“Asnjë pyetje nuk i përgjigjem derisa të paraqitet dokumenti. Dyshimi im është që kjo është gjykatë e korruptuar. Nuk do t’i përgjigjem asnjë pyetje”, tha Tara.
Trupi gjykues ia tërhoqi vërejtjen duke i thënë: ”Mund të gjobiteni nëse nuk përgjigjeni”.

Komandant Hoxha vazhdoi të refuzoi të përgjigjet pavarësisht pyetjeve që i parashtronte prokurorja e ZPS-së.
“Edhe po të vritem nuk flas më pa m’u prezantuar dokumenti”, tha Tara.
Ndryshe, në deklaratën e tij, Tara theksoi se dokumenti në fjalë e përshkruan atë si “tradhtar i kombit”.
“Unë kam një kërkesë për gjyqtarin para se të dal prej këtu. Unë dëshiroj prej gjykatësit, të më paraqitet dokumenti im, në të cilin kam ngritur dyshimet e mia në lidhje me intervistën time para hetuesve më 2019”.
“Mund të kërkoni ju çdo gjë, por unë prej këtij momenti në qoftë se ai dokument që ka ngritur shqetësimin tim, që ka rrezikuar jetën dhe të 10 familjarëve të mi dhe që në atë dokument jam përshkruar si tradhtar i kombit, tradhtar i UÇK-së, tradhtar i dëshmorëve dhe i heronjve të mi dhe gjithë asaj popullate të masakruar dhe të larguar nga Kosova. Unë nuk do të jap asnjë njohuri pa u shqyrtuar ky dokument dhe pa u pastruar komandant Hoxha. Ta dini që prej këtij momenti nuk flas asgjë. Mund të më thirrni, seanca do të mbyllet që këtu. Ose do të vazhdoni, unë asnjë përgjigje nuk do të flas derisa nuk shqyrtohet dokumenti”, ka thënë Tara në Speciale.
Gjykatësi i kërkoi të vazhdonte dëshminë, por Tara deklaroi se nuk do të fliste më derisa dokumenti të shqyrtohej.
“Sot përgjigju pyetjeve zoti Tara. Kur të përfundosh dëshminë, do të japim mundësinë të bësh një deklaratë”, ka thënë gjykatësi.