Të përmbyturit: 1 prilli nuk mjafton për t’u kthyer në vatrat tona

260

Afati i ri i Qeverisë që deri më 1 prill të zhvendosurit nga rajonet e përmbytura të qëndrojnë nëpër konvikte studentësh në Shkup, nuk do të zgjidh problemet e këtyre banorëve. Kjo për shkak se të strehuarit kanë probleme ekonomike dhe nuk kanë mundësi për të rindërtuar shtëpitë e tyre. Fatmir Qamili e ka shtëpinë tërësisht të shkatërruar, ndërsa me paratë që ka marrë nga shteti nuk ka arritur të hedh as gurthemelin e ri të shtëpisë.

 Kemi marr vetëm se 500 euro të avansit, 13 mijë denarë të Kryqit të Kuq dhe dikur me vonë mi kanë lëshu 40 mijë denarë. Nuk kemi të holla, qysh ta rregullojmë, jam i papunë jemi 4 anëtarë të familjes për momentin në konvikt.Nëse nuk arrijmë me rregullu do të duhet të vazhdojë prap diku të jetojë, unë jam i pa punë. Aty jemi deri më 31 mars ose 1 prill dhe më tuje çka do të ndodhë me shtetin, nuk e di sa do të jetë ndihma – thotë Fatmir Qamili, banor i Hasanbegut.

Ai thotë se disa herë ka kërkuar nga autoritetet kompetente që të shqyrtohet rastin e tij por deri më sot nuk është vizituar nga asnjë komision rivlerësues. Për shkak të neglizhencës së shtetit, Fatmiri, apelon për ndihmë edhe deri tek ata qytetarë që kanë për t’i ndihmuar që ta ndërtojë të paktën një dhomë për katër anëtarët e kësaj familje.

 Për momentin unë nuk kam pas ose nuk më është lajmëru asnjë komision që të kontrollon ose të vlerëson diçka se çka është gjendja , sikur po e shihni se sa shtëpia është e rrënuar dhe e dëmtuar, nuk ka qenë kush. Nuk kemi aspak të ardhura , i papunë ku mundem me mbijetu me punu diçka privat, ndryshe jo. Kush ka mundësi të më ndihmojë për momentin, nuk e di çfarë do të jetë ndihma prej shtetit, por privatisht kush mundet të më ndihmojë ta rregullojë të paktën për fëmijët – apelon për ndihmë Fatmir Qamili.

Nga Komisioni për vlerësimin e dëmeve përmes telefonit thanë se do të shqyrtohen të gjitha ankesat e parashtruara nga familjet që nuk pajtohen me shumën e kompensimin e dëmeve, duke ju dhënë përparësi familjeve të strehuara nëpër konvikte. Qeveria planifikoi 2 miliardë e 400 mijë denarë për të kompenzuar dëmet por këto të holla si duket ende nuk janë ndarë tek të gjitha familjet e përmbytura. Ndërkohë, kompensimi i dëmeve bujqësore dhe të makinave ende nuk ka përfunduar. Në konviktet e studentëve për momentin janë të strehuara 125 persona nga rajonet e përmbytura të 6 gushtit të vitit të kaluar.

Comments