Tetë ditë paraburgim për kirurgun nga Manastiri që u kap duke marrë ryshfet
Kirurgut M.S (64) i cili u arrestua për pranim të ryshfetit prej 150 euro në Spitalin klinik të Manastirit, i është shqiptuar masa e paraburgimit prej tetë ditëve, konfirmoi Prokuroria. Më 28 janar, rreth orës 17, policia e Manastirit në ambientet e Spitalit klinik në Manastir ka arrestuar M.S, kirurg për një kohë të gjatë në Repartin e Kirurgjisë në spital
Sipas Prokurorisë, dyshimi ka dalë nga fakti se më 27 janar, i dyshuari si person që kryen punë me interes publik, gjegjësisht si mjek kirurg në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin Klinik në Manastir, ka kryer një ndërhyrje kirurgjike, dhe më pas në mënyrë indirekte përmes një dëshmitari i ka kërkuar djalit të pacientit që t’i japë para në shumë prej 150 euro për ta shpërblyer për punën e bërë.
Të nesërmen, në ambientet e spitalit, djali i ka dhënë të dyshuarit tre kartëmonedha prej 50 euro në një zarf. Pas pranimit të tyre, i dyshuari është bastisur dhe zyrtarët e autorizuar nga Sektori për Punë të Brendshme Manastir kanë gjetur dhe konfiskuar paratë.
Nga Spitali klinik “Dr.Trifun Panovski” në Manastir njoftuan se Policia e Shtetit Manastir i ka njoftuar për rastin dhe inkurajon organet hetimore që të veprojnë në mënyrë transparente dhe ligjore.