Tha se Serbia po trajnohet për të sulmuar Kosovën, Konjufca: S’kam pasur për qëllim të frikësoj popullin

214

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se deklarata e tij e dhënë ditë më parë, për trajnime të grupeve terroriste në Serbi dhe rreziku që ata mund të destabilizojnë Kosovën, nuk ka pasur për qëllim frikësimin e popullit, por për të njoftuar bashkësinë ndërkombëtare në mënyrë që të ndëshkohet Serbia.

Ai ka thënë se Kosova kurrë nuk ka qenë me e sigurt dhe se institucionet e sigurisë janë stabile edhe të gatshme t’iu kundërvihen çfarëdo tendence që vjen nga Serbia.

“E dinë e gjithë shoqëria jonë, e dinë e gjithë bashkësinë ndërkombëtare që Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës. Prej këtyre pretendimeve ajo nuk ka hequr dorë kurrë. Po të njëjtën kohë edhe Kosova kurrë nuk ka qenë më e përgatitur për me ju përgjigj çfarëdo sfidave të sigurisë, kështu që populli i Kosovës duhet me qenë i sigurt, askush nuk i thotë këto deklarata për me i frikësu apo për me shkaktu ndonjë panik. Populli i Kosovës është shumë i qetë, populli i Kosovës beson në shtet, populli i Kosovës dhe shoqëria jonë besojnë në institucionet tona efektive për me ju kundërvu çfarë do tendence të Serbisë për me destabilizu Kosovën, kështu ka qenë dhe kështu do të jetë gjithmonë”, ka thënë Konjufca.

Kryeparlamentari ka thënë se ekzistojnë grupe kriminale që synim kanë destabilizimin e Kosovës dhe të strehuara në Serbi.

“Për që ka grupe të cilat e kanë për synim për me destabilizuar Kosovën, ato ne nuk mundemi me rrejt e as me mashtru kërkon. Ato ekzistojnë janë të strehuara në Serbi. Sa i përket brenda Kosovës situata kurrë nuk ka qenë më në kontroll. Grupe nga brenda Kosovës të cilat munden me destabilizu Kosovën kurrë nuk kanë qenë më të dobëta dhe janë në shpartallim e sipër. Prej Serbisë ku ushtrojnë ata, ku marrin armët ku gjejnë strehim ato janë të konfirmuara edhe prej institucioneve tona të sigurisë. E institucionet tona të sigurisë na i bartin neve krerëve të shtetit dhe na tregojnë që ato grupe ekzistojnë. Ku ekzistojnë, ku trajnohen dhe cili është qëllimi i tyre”, u shpreh tutje Konjufca, teksa ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare ta ndëshkojë Serbinë për tendencat për destabilizim të Kosovës.

“Këto nuk i themi për me shkaktu frikë, i themi me e kuptu më mirë të vërtetën. Ne nuk ja themi popullit tonë, unë nuk jam duke folur për popull, jemi duke folur për bashkësinë ndërkombëtare. Bashkësia ndërkombëtare duhet me ndëshku Serbinë. Ju i patë statistikat; për 6 për qind është rritur numri i të huajve që vijnë në Kosovë dhe turistëve do të rritet edhe më shumë, Kosova është shumë e sigurt, institucionet janë stabile edhe të gatshme me ju kundërvu çfarëdo tendence që vjen nga Serbia”.

Comments