TikTok u mbyll në Amerikë, në Kosovë ende jo!
Ilir Muharremi
TikTok u mbyll në Amerikë një vendim që gjeti mbështetjen e dy partive kryesore, republikanëve dhe demokratëve, dhe që u vulos nga Gjykata Supreme. Dhe pse? Sepse e kuptuan se ky aplikacion, pas fasadës së tij të pafajshme, ishte duke ndikuar negativisht tek të rinjtë, duke i manipuluar, shpërqendruar dhe shpërfytyruar lidhjet e tyre me realitetin. Amerika e pa rrezikun dhe veproi. Çfarë po bëjmë ne në Kosovë?
Ky nuk është thjesht një aplikacion, por një mjet që po shkatërron mendjet e reja në vendin tonë. Të rinjtë tanë, në vend që të angazhohen në aktivitete që zhvillojnë mendjen dhe shoqërinë, kalojnë orë të tëra duke imituar kërcime të pakuptimta, duke ndjekur trende boshe dhe shpesh herë të dëmshme, dhe duke u zhytur në sfida të rrezikshme që i vënë në rrezik edhe fizikisht. Në vend që të lexojnë, të mësojnë ose të krijojnë, ata garojnë për më shumë pëlqime, duke i lidhur vlerat e tyre personale me numrin e ndjekësve virtualë.
Në TikTok, banalitete të përditshme shiten si argëtim, ndërsa manipulimet dhe propagandat e fshehta po e godasin kulturën dhe identitetin tonë. Pse po lejojmë që një algoritëm i ndërtuar diku larg prej nesh të vendosë çfarë është “cool” për të rinjtë tanë? A është kjo Kosova që duam për fëmijët tanë?
Amerika nuk hezitoi ne pse po vonohemi? Kosova, si një shtet i ri me një rini që është shpresa e vetme e së ardhmes, nuk mund të lejojë që brezat e saj të përpihen nga një platformë që shpërndan mediokritet, toksicitet dhe shpërqendrim masiv. Nëse Amerika, një superfuqi, vepron për të mbrojtur qytetarët e saj, atëherë ne, një shtet i vogël me aq shumë për të humbur, duhet të veprojmë edhe më shpejt.
TikTok është një armë e butë që po na shkatërron nga brenda. Të rinjtë tanë po i humbin vitet më të rëndësishme të jetës duke shpërndarë video boshe, duke ndjekur influencues të pavlerë dhe duke ndërtuar një realitet fals. Është koha të zgjedhim: a do të mbrojmë rininë dhe të ardhmen tonë, apo do ta lejojmë këtë helm të na copëtojë të ardhmen?