Tragjedi në Vollkovë të Shkupit, qiramarrësi vret pronarin pastaj dhe veten

Dy të vdekur dhe disa të plagosur në Volkovë të Shkupit pas një incidenti me armë zjarri mëngjesin e sotëm, konfirmon Ministria e Punëve të Brendshme. Jozyrtarisht, ngjarja ka ndodhur pasi një qiramarrës ka qëlluar disa herë pronarin e shtëpisë ku jetonte dhe ka plagosur djalin e tij të mitur.
“Rreth orës 09:00 në SPB Shkup është denoncuar se në fshatin Vollkovë të rajonit të Shkupit ka pasur të shtëna me armë zjarri, me ç’rast janë plagosur disa persona. Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë dhe është konstatuar se R.C. dhe M.N. nga plagët e marra kanë vdekur në vendngjarje. Një mjek i urgjencës konstatoi vdekjen. I plagosur ka mbetur edhe një i mitur i cili është transportuar për mjekim në Kompleksin Klinikë “Nënë Tereza”. M.N. është autor i mundshëm i vrasjes”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ndërkohë nga Klinika e Traumatologjisë thonë se gjendja e të lënduarit është e qëndrueshme.
“Është pranuar një pacient i plagosur nga armë zjarri. Për momentin po bëhen kontrollet e nevojshme. Gjendja e përgjithshme është e qëndrueshme. Pas kontrolleve pacienti do të vazhdojë kurimin me siguri në Klinikën e Kirurgjisë Plastike”, deklaroi Marija Sërceva, Drejtore e Klinikës së Traumatologjisë.
Nga ana tjetër forcat policore janë ende në rrugët e Vollkovës, ndërsa policia po kryen hetim në vendin e ngjarjes. /Alsat.mk