Tragjedia në Koçan, Toshkovski: 59 viktima, mes tyre dhe një zyrtar policor

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, informoi se deri më tani numri i viktimave nga tragjedia në klubin e natës në Koçan ka arritur në 59, ndërsa të lënduarve në 155. Në mesin e viktimave, është edhe një zyrtar policor, i cili natën e kobshme ka qenë në detyrë për të zbuluar drogë dhe persona të mitur në klubin e natës.
“Deri më 11.30 sipas informatave me të cilat disponoj, kanë ndërruar jetë gjithsej 59 persona. Prej tyre, 35 janë të identifikuar. Prej të identifikuarve, 31 persona janë nga Koçani, 4 nga Shtipi. Numri i të lënduarve sipas të dhënave të fundit që mora deri në orën 12 është 155 persona. Jetën e humbi edhe një zyrtar policor nga Stacioni Policor Probishtip, i cili në momentin ka qenë i angazhuar në detyrë zyrtare, gjegjësisht ka vepruar pas planit paraprak të përgatitur për kontroll të objekteve hotelerike në pjesën e tregtisë së palejuar me drogë dhe pranisë së personave të mitur në diskotekën në fjalë”, deklaroi Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.
Toshkovski, informoi se për rastin e Spitalit, Policia ka shpallur fletë arrest për katër persona.

“Është shpallur fletërarrest qendror për katër persona. Nga ana e MPB-së në koordinim me Prokurorinë Publike po veprohet edhe në Ministrinë e Ekonomisë, prej ku sigurohet dokumentacioni lidhur me diskotekën në fjalë, por edhe personat e lidhur me të njëjtën. Po analizohet gjithçka që mund të jetë e lidhur me këtë ngjarje të tmerrshme. Si në pjesën e dokumentacionit ndërtimor teknik, si në pjesën e parakushteve të nevojshme për vendosjen në funksion të objektit të tillë, si në pjesën e licencave përkatëse të cilat duhej t’i posedojë e njëjta, si në pjesën e veprimit konkret gjatë kohës së ngjarjes, si në pjesën e sigurimit të njëjtit, veprim sipas rregulloreve dhe akteve nënligjore e kështu me radhë”, u shpreh Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.
Ministri Toshkovski tha se nga ana e MPB-së janë siguruara spitalet ku janë dërguar të lënduarit dhe në varësi prej të lënduarve do të kryhen biseda me të gjithë personat që janë në gjendje të flasin.
“Nga ana e zyrtarëve policorë të SPB Shkup janë kryer biseda me mbi dhjetëra persona, sipas informatave të fundit që i mora, të cilët janë të hospitalizuar në spitalet e Shkupit. Është kryer bisedë edhe me një prej anëtarëve të grupit muzikor DNK”, theksoi Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.
Për shkak të hetimeve, Toshkovski nuk u përgjigj në pyetjet e gazetarëve për identitetin e katër personave të kërkuar me fletëarrest, e as për numrin e të arrestuarve apo të personave të marrë në pyetje për tragjedinë. Toshkovski nuk tregoi se sa prej të lënduarve tani për tani janë në rrezik jete. Ai tha se mes viktimave ka edhe të mitur, por nuk dha informata për numrin e të miturve që kanë qenë në klubin e djegur. Ministri, u pyet edhe për çështjen e licencave për punë të klubit, por tha që tani për tani nuk mund të japë informata. /Alsat.mk